Foto: Gjykata Themelore në Prishtinë

Vdes Shadije Gërguri, gjyqtare e Gjykatës Themelore të Prishtinës

Pas një sëmundje ka vdekur gjyqtarja e Departamentit Special në Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shadije Gërguri.

Lajmi për vdekjen e saj e ka dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të gjithë miqve të të ndjerës Gërguri.

“Gjykata përherë do ta kujtoj gjyqtaren Gërguri për punën, profesionalizmin dhe virtytet e larta të saj” – thuhet në njoftim.

Lidhur me ditën e varrimit dhe kohën e mbajtjes së Mbledhjes Komemorative, gjykata tha se do të del me një njoftim të radhës.

Gjyqtarja Gërguri ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 1991, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2003.

Nga viti 2003 deri në vitin 2004 ajo ushtroi detyrën e Përkthyeses në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, ndërsa nga viti 2004 deri më 2006 ka ushtruar detyrën si bashkëpunëtore profesionale në Prokurorinë Publike Komunale.

Në vitin 2010 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë.

Me datë 1 janar 2013, Gërguri është emëruar gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës, të cilën pozitë e ka ushtruar deri në muajin korrik të vitit 2019.

Ndërsa nga korriku i 201-ës e deri më tani ajo është caktuar gjyqtare në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.