Isa Xhemajlaj Flet për Ramiz Lladrovcin e Kadri Veselin

Xhemajlaj është përballur me kundërkandidatin për balotazh në zgjedhjet e Komunës së Drenasit, në debatin ‘Jeta në Kosovë’.

Në këtë debat atij i është kërkuar të komentojë për mendimet personale që ka për Lladrovcin dhe Kryetarin e PDK-së dhe Kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Ai tha se me Lladrovcin e dallojnë vetëm pikëpamjet politike dhe nuk ka mendime të këqija për të në baza personale.

“Me z. Lladrovcin kam shumë gjëra të përbashkëta, shumë më shumë se që na ndajnë, na ndan vetëm pikëpamja politike. Tek unë e ka respektin  e duhur, fushata do të mbarojë dhe të hanën e të martën [pas zgjedhjeve], mund të shihemi ndoshta edhe për kafe”, tha Xhemajlaj.

Ndërkaq për Kadri Veselin megjithëse deklaroi se e njeh për një kohë të gjatë, ai nuk pranoi të komentojë pa qenë prezent edhe ky i fundit.

“Me qenë se nuk është prezent nuk lëshohem shumë për njerëz që nuk janë këtu”, deklaroi Xhemajlaj.

Këto deklarata Xhemajlaj i dha në debatin për Drenasin të moderuar nga Jeta Xharra me kundër kandidatin e tij, me të cilin shkoi në balotazh për kryetar të komunës.

Balotazhi për kryetar të komunës së Drenasit mbahen më 18 dhjetor.

Në këto zgjedhje kandidojnë Ramiz Lladrovci (PDK) dhe Isa Xhemajlaj (NISMA) të cilët fituan më së shumti vota në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 4 dhjetor.

Debatin e plotë Lladrovci- Xhemajlaj mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: