Avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, të cilët u vranë nga forcat serbe më 25 mars 1999 - Foto: Facebook

Isa Mustafa përkujton avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në 20 vjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemve e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi, tha se Bajram Kelmendi ishte veprimtar i lirisë dhe pavarësisë në Kosovë.

Sipas Mustafës, ai ishte nismëtar i lëvizjes së njohur për pajtimin e gjaqeve.

“Sot, po bëhen 20 vite kur regjimi kriminal serb i kidnapoi më pas i ekzekutoi, avokatin më të dalluar të Kosovës Bajram Kelmendin dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Kushtrimin. Bajrami në kohë të vështira bëri një punë kolosale, me fakte juridike punoi shumë për denoncimin e krimeve të luftës nga regjimi serb. Aktakuzat e para ndaj Sllobodan Millosheviqit dhe ofrimi i të gjitha fakteve për Tribunalin e Hagës ishte aktivitet i Bajram Kelmendit”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas Mustafës, Bajram Kelmendi, poashtu la gjurmë të pashlyeshme si aktivist dhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Familja Kelmendi me veprën sublime dhe aktivitetin e tyre politik dhe atdhetar do të përkujtohen gjithmonë. Lavdi jetës dhe veprës së avokatit Bajram Kelmendi. Lavdi për djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin”, përfundon komunikata.