Isa Mustafa, kryetar i LDK-së. Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: As Thaçi, as ‘këndesat’ e tij nuk kanë të drejtë ta keqpërdorin emrin e Ibrahim Rugovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar sonte vonë rreth rilthimit në vëmendje të një deklarate të ish-Presidentit tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova, rreth një opsioni të ndërrimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Deklarata e cila u nxor nga arkivat nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogari të idesë së tij për “korrigjimin e kufijve”, shkaktoi pakënaqësi te Mustafa.

Në një postim në Facebook, Mustafa tha se “e kanë gabim dhe me prapavijë të keqe” ata që tentojnë të manipulojnë me intervistat dhe deklaratat e Presidentit Rugova të para 25 vjetëve.

“Rugova ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm historik në pavarësimin e Kosovës, ka shtruar ide dhe koncepte në periudha të ndjeshme kohore, jo vetëm për Kosovën por edhe për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ndërkaq, Kosova ka përmbyllur të gjitha çështjet e hapura me aktin e shpalljes së pavarësisë duke vulosur kontributin e Presidentit Rugova, të UÇK-së dhe aleatëve tanë ndërkombëtar”, ka shkruar Mustafa.

“Askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë emrin e Presidentit Ibrahim Rugova për të vënë në pyetje integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, as Presidenti Thaçi dhe as këndesat e tij”, tha kryetari i LDK-së.