Investitorët Strategjikë i Tremb Imazhi i Kosovës

Për investimet dhe investitorët strategjikë në Kosovë u fol sot në një tryezë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe institutit GAP.

Në tryezë u diskutuan dobitë dhe rreziqet e Ligjit të ri për Investime Strategjike.

Fisnik Korenica nga GLPS-ja tha se ky ligj ka qenë i nevojshëm për Kosovën dhe pritet të ketë impakt për thithjen e investimeve strategjike të huaja.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se vitin e kaluar investimet në Kosovë u dyfishuan në raport me 2014-ën, por investitorët po i pengon situata politike nëpër të cilën po kalon vendi.

Bajrami tha se Ligji për Investime Strategjike u ofron lehtësira investitorëve.

“Me anë të këtij ligji kemi vendosur që të krijojmë bazën ligjore që të kemi mundësi që me investitorët strategjikë të negociojmë pa pasur nevojë për procedura të tenderimit dhe pa iu kërkuar atyre të konkurrojnë, sepse kur ne e kemi bërë këtë në të kaluarën, këta investitorë janë larguar në vendet tjera,” tha ministrja Bajrami.

Projektligji për këto investime në versionin e tij të parë parashikonte edhe shpronësimin e pronës private, nëse ajo i duhej ndonjë investitori strategjik, edhe nëse pronari i pronës private nuk ishte pajtuar me investitorin për shpronësimin.

KALLXO.com shkroi në tetor 2015 për këtë rrezik që vinte me projektligjin.

Ligji i Rrezikshëm i Qeverisë Mustafa

Ministrja Bajrami garantoi se ky ligj i ka të gjitha mekanizmat që i kontribuojnë transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa sipas saj do të ofrojë kushte të barabarta dhe konkurruese.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se Kosova duhet ta ndërrojë qasjen ekonomike duke u orientuar nga zhvillimi i prodhimit dhe eksporti.

“Kosova duhet të ndërrojë qasje nga varësia e madhe nga faktorët e jashtëm siç janë kreditë, donacionet dhe remitencat. Duhet të bëhen politika që stimulon zhvillimin nga ana e ofertës dhe rritjen e sektorëve prodhues dhe shërbyes vendor në mënyrë që të adresohen njëkohësisht punësimi dhe eksporti,” tha Mustafa.

Cezary Michalczuk, prokuror dhe përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se Kosova ende ka një ambient ligjor jostabil dhe nivel të lartë të korrupsionit, gjë që i pengon investitorët të vijnë për të investuar. Sipas tij imazhi i vendit mbetet problem kryesor.

Gjithashtu në këtë diskutim u tha se procesi i prokurimit ende po sjellë probleme dhe nuk po mundet të sigurojë mbrojtje të nevojshme nga korrupsioni.