Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë me 11 rekomandime për parandalimin e aksidenteve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me 11 rekomandime, për parandalimin e aksidenteve në komunikacion.

Sipas Institutit, një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve vazhdon të mbetet njeriu.

Instituti Kombëtar e ka përcjellë në mënyrë permanente situatën e aksidenteve në Kosovë, ku sipas Policisë së Kosovës gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti kanë humbur jetën 90 persona si pasojë e aksidenteve rrugore.

‘’Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve  janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes’’, thuhet në komunikatën e këtij Instituti.

Sipas IKSHP-së, këto janë 11 rekomandimet që i jep për parandalim të aksidenteve:

  • Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
  • Zbatimi me rigorozitet i Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.
  • Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijesohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
  • Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
  • Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
  • Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
  • Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.
  • Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, të kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.
  • Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
  • Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patentë shoferëve.
  • Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.