Arkiv

Temperaturat e larta, këto janë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë ka dalë me disa rekomandime për qytetarët për tejkalimin e vapës.

Sipas Ministrisë, duke u ekspozuar në diell mund të pësohen goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës.

“Duke u ekspozuar në diell mund të pësojmë goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale (dëmtim i veshkëve)”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon që personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00.

Ndërkaq ka rekomanduar që trupi të mbahet i freskuar dhe hidratuar, veshja e rrobave të lehta dhe të gjera, pirja e shumtë e ujit, shmangie e pijeve me sheqer, alkoolit dhe e kafeinës, mbajtja e shtëpisë freskët, e të tjera.

Më tej, Ministria thotë se nëse qytetarëve u paraqiten simptoma si kokëdhembje, mundim, marramendje, tharje e gojës dhe lëkurës, të lajmërohen tek institucioni më i afërt shëndetësor.