Identifikohen 11 Vetura, Dyshohen për Shmangie Doganore

Prokurori i rastit ka sugjeruar që ndaj pronarit të një depoje që merret me çmontimin dhe shitjen e pjesëve të veturave në Vushtrri të iniciohet procedura për veprën penale “shmangie e obligimeve doganore”.

Kjo masë është kërkuar pas një kontrolli të realizuar nga njësia rajonale e auto-krimeve e Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë.

Me këtë rast janë identifikuar 11 vetura të dyshuara për shmangie të obligimeve doganore.

Hetuesit policorë mbi dyshimet e ngritura nga shfrytëzuesi i veturave kanë marrë dokumentacionin  përkatës të secilës veturë, njëherit është kërkuar nga autoritetet doganore të specifikojë të dhënat për secilën veturë.

Nga autoritete doganore është raportuar se dokumentacioni i 11 veturave  ka rezultuar i dyshuar për shmangie të obligimeve doganore, vlera e të cilave kalon shumën mbi 17.000 euro, njofton Zyra për Informim e DRP Mitrovicë.

KALLXO.com ka raportuar edhe për raste të tjera të konfiskimit të veturave të padoganuara.

Në maj të vitit të kaluar Dogana e Kosovës kishte zbuluar rreth 50 makina të padoganuara pas një informacioni të cilin ia kishte përcjellë KALLXO.com.

http://kallxo.com/dogana-ne-aksion-kunder-makinave-te-padoganuara/