Ilustrim

I akuzuari për tentim vrasje e thikë nuk ndodhet në Kosovë, dështon seanca ndaj tij

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për tentim vrasje me thikë, Berat Berisha ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Kjo për arsye se i akuzuari Berisha nuk ndodhej në Kosovë.

Përmes një shkrese të cilën ia kishte dërguar babai i të akuzuarit Berisha gjykatës me 9 tetor të këtij viti, kishte njoftuar se i djali i tij Berat Berisha nuk jetonte më në Kosovë.

Gjyqtari Avni Mehmeti gjithashtu, ka njoftuar se të dëmtuarit Flamur Shala iu është dërguar ftesa, por e njëjta ishte kthyer, pasi që i njëjti nuk kishte qenë në shtëpi, ndërsa familjarët nuk kishin dashur ta pranoni ftesën.

Në gjykatë ishin prezent mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ruzhdi Maloku, kurse kanë munguar dëshmitarët Mirjeta Hashani dhe Bashkim Pllana.

Berat Berisha akuzohet nga Prokuroria se në prill të vitit 2008-të në oborrin e restorant “Holiday” në Vushtrri kishte tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin Flamur Shala.

Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Flamur Shala kishte qenë i shtrirë në tokë i pandehuri Berat Berisha e kishte goditur me thikë tri herë në pjesën e epërme të trupit. Nga ky sulm siç pretendon prokuroria Flamur Shala kishte marr plagë therëse, të cilat konsiderohen plagë të natyrës së lehtë trupore.

Berat Berisha me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Seanca e radhës është shtyer në afat të pacaktuar.