I akuzuari: Kur e pash Policinë e hodha marihuanën në tokë

Leotrim Halili dhe Mevludin Ramadani nga Gjilani kanë dalë sot para gjykatës për t’u përballur të dy me akuzën posedim i paautorizuar i substancës narkotike në bashkëkryerje.

Ndërsa, ndaj të pandehurit Mevludin Ramadani rëndon edhe pika tjetër e aktakuzës – mbajtje nën kontroll apo posedim  të paautorizuar të armëve.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, radha ishte që të akuzuarit të deklarohen rreth fajësisë.

I pandehuri Leotrim Halili deklaroi se me vetëdije të plotë dhe vullnet të lirë e pranon fajësinë për veprën penale të përshkruar sipas pikës 1 të aktit akuzues, duke pohuar se të katërt paketimet e substancës narkotike të llojit marihuanë kanë qenë të tij.

“Kur i kam pa Policinë i kam gjuajtur në tokë dhe me to s’ka pasë të bëjë asgjë Mevludin Ramadani”, tha ai.

I pandehuri i dytë, Mevludin Ramadani lidhur me akuzën që ngarkohet deklaroi se nuk e pranon fajësinë për pikën 1 të aktakuzës, për faktin se, sipas tij, narkotiku që është gjetur nga Policia nuk është e tij dhe nuk e kishte në posedim. Ndërsa sa i përket pikës 2 të aktakuzës që e ngarkonte për posedim të pautorizuar të armëve, ai e pranoi fajësinë duke pohuar me fjalët e tij se “thika e gjetur nga Policia është e imja”. Ai shtoi më tutje se këtë pranim e bën me vetëdije të plotë dhe vullnet të lirë.

Prokurori Isuf Sadiku kundërshtoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Leotrim Halili, me arsyetimin se nuk është e plotë dhe është në kundërshtim me provat që i disponon Prokuroria. Prokurori shtoi se propozon që për seancën e radhës të ftohet për dëshmi A.B,, njëri nga zyrtarët policorë i cili e ka përpiluar raportin e shpejtë.

Kurse ndaj të pandehurit të dytë Mevludin Ramadani, prokurori  nuk paraqiti kundërshtim ndaj pranimit të fajësisë, ngase sipas tij, pranimi është bërë sipas kualifikimit juridik dhe përshkrimit faktik  ashtu siç ceket në aktkakuzë.

Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, pas dëgjimit të palëve lidhur me aspektet e pranimit të fajësisë mori aktvendim dhe njoftoi se sa i përket të pandehurit të parë Leotrim Halili, i refuzohet pranimi i fajësisë për pikën 1 të aktakuzës, për faktin se sipas nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, pranimi i fajësisë duhet të bëhet në të gjitha pikat e akuzës ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e parë të aktit akuzues, duke u ngarkuar me bashkëkryerje Leotrim Halili dhe Mevludin Ramadani.

Kurse për të pandehurin e dytë Mevludin Ramadani i aprovohet pranimi i fajësisë sepse janë plotësuar kushtet ligjore të parapara nga KPRK, njoftoi gjyqtari Aziz Shaqiri.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, të dyshuarit Leotrim Halili dhe Mevludin Ramadani akuzohen se kanë kryer veprën posedim i pautorizuar i narkotikëve apo substancave narkotike sepse më 9 tetor 2017 rreth orës 12:00 në lagjen “Dardania II” në Gjilan në mënyrë të pautorizuar kanë poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, derisa ishin duke qëndruar afër trafës së rrymës, me ç’rast i pandehuri Leotrim, posa ka vërejtur veturën e Policisë, ka filluar të ikë duke e kaluar rrethojën e “ Hidromoravës”, ndërsa i pandehuri Mevludin, me rastin e ndaljes dhe kontrollimit  i është gjetur një thikë si dhe katër paketime me substancë narkotike të cekur si më lartë, me peshë 9.8 gramë, të cilat edhe i janë konfiskuar.

Ndërsa në pikën 2 të akuzës, Mevludin Ramadani akuzohet për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të pautorizuar të armëve sepse në kohën dhe vendin e cekur si më lartë me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga Policia në Gjilan i është gjetur një thikë e cila i është sekuestruar.