Hristijan Mickoski - Foto: REL

Hristijan Mickoski Zgjidhet Lider i Ri i VMRO-DPMNE-së

Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE, e ka zgjedhur Hristijan Mickoskin, për lider të ri të vetin.

Mickoski, 40 vjeçar, që ishte kandidat i vetëm për këtë post, është zgjedhur mbrëmë në mbledhjen e kongresit të kësaj partie në Shkup, me 376 vota për, prej gjithsej 428 delegatëve që votuan.

Ky zhvillim u bë pasi lideri i mëparshëm, Nikolla Gruevski, para dy javësh dha dorëheqje, pas disfatës në zgjedhjet lokale në muajin tetor, raporton AP nga Shkupi.

Gruevski ishte lider i partisë prej vitit 2003, ndërsa në periudhën 2006 – 2016 ishte kryeministër i Maqedonisë.

Pas zgjedhjes, Hristijan Mickoski tha se qëllim i partisë së tij është për ta përmbysur “qeverinë jokompetente social-demokrate”. (REL)