Enver Hoxhaj

Hoxhaj Kundër Vuçiqit për Tregun e Përbashkët

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj i është përgjigjur përsëri presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në lidhje me deklaratat për tregun e përbashkët të bëra në Davos.

“Vazhdoj ta promovoj idenë time për një treg të përbashkët në Ballkan”, ka thënë Vuçiq, citojnë mediat serbe.

Përmes llogarisë në Twitter, Hoxhaj e ka refuzuar kategorikisht idenë e tregut të përbashkët në Ballkan, i cili, sipas zëvendëskryeministrit,  është ide me qëllimin e vetëm, kthimin e dominimit të Serbisë në aspektin ekonomik në rajon.

“Falemnderit, por jo. Falemnderit. Kurrë nuk do të ketë Jugosllavi të re dhe i vetmi treg i përbashkët i Ballkanit do të jetë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Ideja e tregut të përbashkët, e iniciuar nga Vuçiq është konsideruar e dëmshme për Kosovën, pasi që do t’i ulte ndjeshëm të ardhurat nga doganat, ndërkohë që përfitimet më të mëdha nga shtetet e Ballkanit do t’i kishte Serbia.

Këtë ide e kishte kundërshtuar Isa Mustafa, atëherë kryeministër i Kosovës, si dhe zëvendëskryeministri Hoxhaj, kur mbante pozitën e ministrit të jashtëm.