Nenad Cvetkoviq, ish kryetar i komunës së Parteshit

Historia Kriminale nuk e Pengon të Bëhet Këshilltar i Ministrit

Ish-kryetari i komunës së Parteshit, Nenad Cvetkoviq ka arritur që të fitojë besimin e ministrit për kthim që ta këshillojë atë për integrimin e të kthyerve në Kosovë.

Historia e tij e rëndë kriminale e cila është e njohur pothuajse për tërë komunitetin serb të Kosovës të Anamoravës, ku shtrihet rajoni i Gjilanit, nuk i pengon askujt që ai të merr postin e këshilltarit.

Në vitin 1997, Nenad Cvetkoviq dhe shtatë persona tjerë ishin dënuar nga gjykata e atëhershme e qarkut në Gjilan me 52 vite burg për dhunim të dy vajzave nga Graçanica, njëra e mitur në atë kohë.

Ministri për komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtiq tha për KALLXO.com se Cvetkoviq është këshilltar i tij përafërsisht që nga Maj 2015 dhe se nuk kishte njohuri për të kaluarën e tij.

“Jo, nuk kam në dispozicion një informatë të tillë,” tha Jevtiq.

Ministri Jevtiq merr për bazë arsyetimin se derisa Cvetkoviq ishte emëruar si kryetar i komunës së Parteshit, ai kishte kaluar disa baza ligjore për këtë.

Për më shumë, Jevtiq mbron këshilltarin e tij duke thënë se ai është një ndër udhëheqësit më të mirë politikë të asaj ane dhe se respektohet nga populli.

“Unë e di se ai ka përkrahjen e popullit dhe është i vlerësuar. Ai është një ndër udhëheqësit më të mirë politikë,” Jevtiq tha për KALLXO.com duke mos dashur që të komentojë se çfarë do të ndodhë me Cvetkoviq.

“Është e drejtë e njeriut që të punësohet. Tani a nuk duhet ai [Cvetkoviq] që të jetojë,” shtoi Jevtiq.

KALLXO.com ka kërkuar edhe nga Zyra e Kryeministrit që të komentojë për këtë çështje por nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Nenad Cvetkoviq kërkoi nga KALLXO.com që mos të merret me një çështje që ka ndodhur para 20 viteve dhe ripërsëriti se rasti i tij ka qenë i montuar politikisht në atë kohë.

“Ka qenë kohë e Millosheviqit dhe a e dini se sa shqiptarë janë dënuar po ashtu për dhunim dhe krime tjera në atë kohë,” tha Cvetkoviq.

“Më tregoni se çfarë përgjigje dëshironi, atë do t’ua jap,” tha ai. “Ju them se ka qenë rast i montuar. Tani më duhet të shkoj të punoj për të fituar pagën time,” Cvetkoviq përfundoi.

KALLXO.com pati raportuar në vitin 2013, gjatë kohës sa ishte Cvetkoviq kryetar i Parteshit, duke zbuluar nga dokumentet zyrtare të gjykatës së atëhershme të Gjilanit për dënimin me burg kundër Cvetkoviq dhe shokëve të tij.

Kryetari i Parteshit Ishte Dënuar për Dhunim

Dokumentet e gjykatës si aktakuza dhe aktgjyimi që i posedon Kallxo.com përshkruajnë Cvetkoviqin si ‘kryebanditin e krimit brutal’.

Në atë kohë, Nenad Cvetkoviq punonte përkohësisht në Zvicër por në vizitën e tij në Kosovë, më 16 shtator 1996, ai dhe shokët e tij i morën me makinë dy vajza të reja të Graçanicës dhe i kanë dërguar në Pasjan ku edhe i dhunuan gjatë tërë natës.

Gjykatësi kryesues, Ivan Bajazit, i cili tani punon si avokat në Beograd, kishte thënë përgazetën Jeta në Kosovë në vitin 2013 se ai ishte i deleguar në Kosovë për këtë rast, pasi që familjet e viktimave nuk u besonin gjykatësve në Gjilan, sepse disa prej tyre ishin nga Pasjani.

Atëherë, Bajaziti hodhi poshtë pohimet e Cvetkoviqit se gjykimi ishte politik.

“Ky është budallallëk. Ky ishte një krim klasik”, tha ai.

Suksesi më i madh i Cvetkoviqit nuk është fitorja e 1 mijë e më shumë votave për t’u bërë kryetar, por fakti se u bë një ndër të parët nga politikanët lokalë serbë në të kohë, i vullnetshëm për të punuar me qeverinë e Kosovës.

Ai filloi garën si i pavarur me listën Zaviçaj, por më pas iu bashkua Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS) që ishte pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Thaçi.

E Kaluara e Tmerrshme Ndjek Kryetarin E Parteshit