Agim Veliu - LDK

Veliu: Nga nesër nuk ka mësim as në shkollat që përdorin plan-programin e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu ka thënë që ka zhvilluar një takim me ministrin për Kthim dhe Komunitet, Dalibor Jevtiq me të cilin kanë arritur dakordim që nga nesër të mos punojnë as shkollat që përdorin plan-programin e Serbisë.

Sipas Veliut nuk do të ketë nevojë për përdorimin e forcave policore për të ndalë mësimin.

“Unë sot e kam takuar kolegun Dalibor Jevtiq, ku kemi folur për zbatimin e vendimit të qeverisë dhe nuk besoj se do të këtë nevojë për përdorimin e forcave policore për të ndalë mësimin. Ka një dakordim që nga nesër shkollat nuk do të punojnë. Ora e parë e mësimit do të jetë informata për këtë sëmundje dhe pastaj vazhdohet më respektimin e vendimit”, ka thënë Veliu në mbledhjen e qeverisë.

Ndonëse në Kosovë nuk ka ndonjë rast të prekjes nga coronavirusi, Qeveria e Kosovës dje ka marrë një sërë masash parandaluese duke përfshirë edhe mbylljen e shkollave deri më 27 mars.

Ndërsa respektimi i këtij vendimi është kërkuar edhe për shkollat që punojnë me plan-program të Serbisë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës: Mbyllen shkollat deri më 27 mars