Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt

Heldt përgëzon ministrat Vitia e Jevtiq për bashkëpunim, kritikon gazetarinë tendencioze

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, ka vlerësuar lartë punën e dy ministrave, të Shëndetësisë Arben Vitia dhe të Komuniteteve dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.

Përmes një shkrimi në Twitter, Heldt ka inkurajuar ministrat e Qeverisë Kurti që ta vazhdojnë edhe më tutje bashkëpunimin në luftën për parandalimin e pandemisë së coronavirusit.

“Ndikimi i COVID ndihet kudo, nuk ndalet në linjat e komunitetit. Pra respekt për ministrat e qeverisë Arben Vitia dhe Dalibor Jevtiç duke arritur për një terren të përbashkët në interes të të gjithëve. Bëhet fjalë për jetën dhe sigurinë e njeriut për të gjithë që jetojnë këtu, prandaj ju lutemi vazhdoni”, ka shkruar Heldt.

Diplomatit gjerman kritikoi gazetarinë tendencioze duke thënë theksuar që kjo është një situatë që shkon përtej kufijve.

“Ashtu si gazetaria tendencioze që shkon përtej etikës profesionale nuk i ndihmon njerëzit në terren. Dhe bëhet fjalë për jetën e njerëzve, përtej kufijve në komunitet. Siguria për njërin është siguri për tjetrin. Prandaj ju lutemi me përgjegjësi”, tha theksuar Heldt.

Edhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) u ka bërë thirrje mediave në Kosovë që të përmbahen nga intensifikimi i tensioneve në kohën kur vendi po përballet me krizën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.

EFJ thekson se futja në karantinë e Mitrovicës së Veriut është mbuluar në mënyrë të papërshtatshme dhe joetike nga mediat.

Federata Europiane e Gazetarëve ka reaguar sidomos ndaj qëndrimeve dhe pyetjeve provokuese të bëra nga një gazetare e RTK-së teksa raportonte drejtpërdrejt nga Mitrovica e Veriut në lajmet e së shtunës në mbrëmje, të cilat, sipas saj, ngjallën një valë reagimesh në Kosovë.

Edhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës dhe palëve të involvuara që të mbështesin të drejtat e njeriut gjatë luftës kundër COVID-19. Po ashtu, shefi i UNMIK-ut përsërit thirrjen e fundit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për të respektuar të drejtat e pacientëve për privatësi dhe përmbajtjen nga zbulimi i të dhënve personale, duke përfshirë edhe mediat