Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haxhiu demanton Haradinajn: VV nuk kërkon import të energjisë nga Serbia

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj Kryeminsitrit të Kosovës Ramush Haradinajt lidhur me debatin për termocentralin e ri ‘Kosova e Re’.

Sipas Haxhiut nuk janë të vërteta deklaratat e Haradinajt se VV-ja ka kërkuar që të bëhet import i energjisë elektrike nga Serbia.

“Ramush Haradinaj tha se Shqipëria e ngratë nuk ka energji për të na shitur, e kinse VV ka kërkuar të blejmë rrymë nga Serbia. Ky theksim i Kryeministrit është i pavërtetë dhe i pasinqertë, i cili kontratën super të dëmshme po tenton ta kamuflojë me deklarata të tilla qesharake e me shpifje!”, shkroi në Facebook deputetja.

Ajo shtoi se propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje për energjinë kishin qenë tjera.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga viti 2015 ka dhënë propozimin e saj për të zgjidhur këtë problem duke rritur kapacitetet e reja energjetike përmes Kosovës së Re dhe Termocentralit Kosova A.Ekspertët e kësaj lëmie në VV që moti në detaje kanë përpiluar këtë projekt. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e sheh si zgjidhje futjen e Republikës në borxhe dhe shitje të pasurisë kombëtare”, shkroi Haxhiu.