Ish-drejtori i AKK-së, Hasan Preteni

Hasan Preteni Kritikon Gjykatat: Dënime të Buta për Mosdeklarim

Rasti i i sotëm i ish kryetarit të komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ndaj të cilit u shqiptua dënim me kusht dhe gjobë për mosraportim të pasurisë, si dhe rastet e tjera të kësaj natyre i kanë dhënë shkas Drejtorit të Agjensionit Kundër Korrupsion, Hasan Preteni që të ndihet i pakënaqur me gjyqësorin në Kosovë.

“Vlerësimi ynë është i vazhdueshëm, tejet negativ, sepse nuk është arrit qëllimi me penalizmin e mos-deklarimit të pasurisë dhe deklarimit të rrejshëm nuk është bërë asgjë, përkundrazi dënimet që gjykatat po i shqiptojnë lidhur me këto vepra, janë shumë më të ulëta se dënimet që u shqiptonin më herët kur kjo vepër nuk sanksionohej si vepër penale, por klasifikohej  si shkelje administrative”, tha Preteni për KALLXO.com.

Burimin e pakënaqësisë së tij me sanksionet që po shqiptohen nga sistemi gjyqësor në Kosovë Preteni e argumentoi edhe përmes shifrave.

“Ne numerikisht i kemi publikuar të dhënat lidhur me atë se në aspektin monetar deri në 100 mijë euro deri në vitin 2013 kanë qenë  dënime ndërsa  tani pothuajse të gjitha janë dënime me kusht dhe dënimet me gjobë rrallëherë janë 2 mijë euro siç është ai sotmi, por edhe këtu është shkalla e parë dhe besoj që në shkallën e dytë mund të ulen dhe me të vërtetë kjo është një  dështim i fuqishëm i këtij aktiviteti dhe penalizmi nuk e arriti qëllimin”, tha Preteni.

Gjykata Themelore në Prishtinë sot e gjeti fajtor ish-kryetarin e Lipjanit Shukri Buja, për mosraportim  të pasurisë, ndërsa për këtë vepër i shqiptoi dënim me gjobë prej 2000 mijë euro si dhe katër muaj burgim me kusht.

http://kallxo.com/denohet-e-gjobitet-shukri-buja/

Dënim me gjobë në vlerë prej 1400 euro, për të njëjtën vepër kjo gjykatë kishte shqiptuar edhe ndaj ish deputetit Berat Buzhala, ndërsa  Gjykata Themelore në Prizren po për këtë vepër i kishte shpallur të pafajshëm deputetët Nait Hasani dhe Duda Balje.

Kreu i Agjensionit, përgjegjës për raportimin e mosraportimit  të pasurisë, përkundër pakënaqësisë lidhur me këto dënime, është i vetëdijshëm se kjo është jashtë ndikimit të tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm se gjyqësori është i pavarur në veprim dhe përpos publikimit të këtyre qëndrimeve siç është ky sot dhe kjo nuk është hera e parë që po e bëj publik qëndrimin tim që kjo nuk është në rregull. Në bazë të raportit për vitin 2014 janë shqiptuar vetëm 12 aktgjykime dënuese dhe të gjitha janë me kusht  dhe me gjobë. Vetëm në dy raste gjobat janë më shumë se 500 euro,  kurse për vitin aktual ende nuk e kemi raportin e punës dhe kjo është një përqeshje e sistemit”, tha Preteni.

http://kallxo.com/shukri-buja-denimi-im-ishte-politik/

Preteni, përkundër kësaj, shprehet se veprimtaria e institucionit që ai drejton do të vazhdojë punën konform ligjit dhe nuk do të ndalen, megjithatë ai thotë se duke parë punën që bënë gjyqësori kundrejt veprave korruptive, nuk mbetet shumë optimizëm.

“Ne nuk do të ndalemi, ne kemi vepruar në vazhdimësi dhe do të vazhdojmë me kallëzime penale për të gjitha rastet e mosdeklarimit të pasurisë, ne jemi të obliguar të veprojmë në këtë drejtim ashtu siç është e paraparë me ligj edhe pse po shohim se tek gjyqësori nuk po gjykohen as veprimet tjera më të rënda korruptive  dhe është iluzore të presim të dënojnë për mosdeklarim të pasurisë ose deklarim të rrejshëm dënime më të fuqishme kur nuk po dënojnë as për vepra tjera  të korrupsionit”, shprehet i brengosur Preteni.

Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare është vepër penale, e paraparë me Kodin Penal të Kosovës, ndërsa dënimi maksimal për këtë vepër është paraparë deri në 5 vite.

http://kallxo.com/berat-buzhala-denohet-me-1-mije-e-400-euro-per-mosdeklarim-pasurie/

http://kallxo.com/duda-balje-shpallet-e-pafajshme/

http://kallxo.com/nait-hasani-shpallet-i-pafajshem/