Foto: ZKM

Haradinaj: Taksa s'ka të bëjë me Amerikën por me Serbinë e Rusinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës së tij në Agjencionin e Privatizimit të Kosovës (AKP), ripërsëriti qëndrimin e tij se taksa 100% ndaj Serbisë nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës.

Ai tha se pavarësisht kërkesës së ShBA-së, taksa nuk do të hiqet pasi sipas tij kjo nuk ka të bëjë më Amerikën.

“Sot e heqim nëse ka marrëveshje për njohje, por jo në shkurt, asnjëherë nëse Serbia s’është e gatshme të na njohë. Kjo s’ka të bëjë me Amerikën ka të bëjë me Rusinë e Serbinë. Ne jemi në kufi me Serbinë e Rusinë, fytyra e Serbisë cila është e shihni nesër me Putinin në Beograd. Fytyra jonë e dini cila është. Mos u mërzitni për këtë”, tha Haradinaj.

Ai tutje shtoi se takimi me drejtorin e AKP-së, Valon Tolaj është bërë për shkak se ky instutiticion ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qëllimi i ardhjes në AKP është bërë sepse është institucioni më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, menaxhon me asete publike në këtë rast, të gjitha veprimet e AKP-së munden të ndikojnë direkt në dinamikat që ndikojnë në zhvillim ekonomik, po ashtu kemi edhe tema që i shoqërojnë agjencinë që na ndikojnë neve të merremi me to”, tha Haradinaj.

Kurse, Tolaj tha se bashkëpunimi me Qeverinë është thelbësorë.

“Bashkëpunimi më Qeverinë dhe mbështetja me Qeverinë, është thelbësorë. Ne e falënderuam kryeministrin për mbështetjen dhe shprehën gatishmërinë dhe vullnetin përveç obligimeve ligjore që i kemi në bazë të ligjeve në fuqi që AKP të jap kontributin e saj në zhvillim ekonomik që Qeveria e ka proklamuar para pak ditëve”, u shpreh Tolaj.