Ramush Haradinaj

Haradinaj: Qeveria do të vazhdojë të ketë dialog me gazetarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një publikimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të ketë dialog me gazetarët për një transparencë dhe llogaridhënie më të lartë.

Ai ka përmendur Raportin e Reporterëve pa Kufij ku Kosova është ngritur katër vende më lartë në mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së shtypit.

Haradinaj raportin për Kosovën e ka cilësuar pozitiv në kohën kur e gjithë Evropa po përballet e rënie të lirisë së shtypit.

“ Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Kosova ka shënuar ngritje për katër vende në mbrojtjen e gazetarëve, sipas Raportit të Reporterëve pa Kufij dhe ky përmirësim fiton në peshë pasi që sivjet hetohet një rënie e përgjithshme të lirisë së shtypit në Evropë në tërësi në vitin 2018. Raporti i Reporterëve pa kufij, për këtë vit ka përmendur përmirësimet në marrëdhëniet mes mediave dhe Qeverisë, duke vënë në dukje se Qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi. Qeveria do ta vazhdojë këtë dialog me gazetarët për një transparencë dhe llogaridhënie gjithnjë e më të avancuar, duke qenë e vetëdijshme për sfidat që i ka përpara për të krijuar një pasqyrë plotësisht pozitive në progresin e lirisë së shtypit”, ka shkruar Haradinaj.