Takimi mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka - Foto: ZKM

Haradinaj: Prizrenin do ta ndihmojmë me krejt çka kemi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Mytaher Haskuka.

Kryeministri  Haradinaj ka thënë se arsyeja pse ka shkuar në Prizren është për të mësuar nga afër gjendjen reale të qytetit si dhe për të parë se cilat janë detyrat e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të komunës së Prizrenit.

Sipas tij, duhet hequr pengesat e kësaj komune që të mund të kalojë në një plan urbanistik dhe zhvillimor.

“Jemi optimist se do të jetë nxitje për një zhvillim ekonomik dhe jemi të gatshëm që të ecim në etapa të tjera me parkun industrial, zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe që t’i mundësohet Komunës që të ecë përpara”, thuhej në komunikatë.

Haradinaj tha se gjatë takimit me kryetarin Haskuka është diskutuar për tema që duhen trajtuar me seriozitetin më të lartë si arsimi, shëndetësia, rendi dhe specifikoi çështjen e narkotikëve dhe shpërndarjen e tyre nëpër shkolla.

“E sigurova kryetarin Haskuka që Qeveria e vendit, pa asnjë hezitim do t’i kryejë ato që janë punë të Qeverisë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se “komuna nuk duhet të jetë e bllokuar për shkak se niveli nacional nuk po i kryen punët e veta”.

Ndërsa kryetari Haskuka falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Komunën e Prizrenit, por ndër të tjera ai përmendi edhe  disa sfida si, parkingjet për vetura, mungesën e ujit të pijshëm në disa zona dhe ndërtimin e institucioneve parashkollore, për të cilat mori premtimin e kryeministrit Haradinaj për mbështetje.