Haradinaj lavdëron kompanitë vendore të vajit dhe pijeve

Kryeministri i vendit  Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka vizituar Komunën e Gjilanit, përveç takimit me kryetarin Lutfi Haziri, i pari i qeverisë ka vizituar edhe Kompaninë ‘Fluidi’ me ç’rast është zotuar se në vitin e ekonomisë do të krijoj politika më të favorshme për prodhuesit vendor.

“Si Qeveri e vendit, në vitin e ekonomisë, do t’i shfrytëzojmë të gjitha parametrat e nevojshëm që të krijojmë politika të favorshme ekonomike që mbrojnë prodhimin vendor”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Tutje Haradinaj ka thënë se kompania ‘Fluidi’ ka pasur sukses të madh sidomos pas vendimit për taksën 100 për qind.

“Me teknologjinë dhe kushtet më të avancuara të prodhimit Fluidi ka arritur të fitojë besimin e konsumatorëve në shumë produkte që prodhon. Por premtuese është besimi ne produktin e ri, në vajin Floil, që ka shënuar sukses të madh në tregun vendor, veçmas pas vendimit të taksës kemi rritje qind për qind të shitjes dhe prodhimit”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij kjo kompani ka dëshmuar se produktet vendore janë kualitative dhe se vaji Floil është ndër më të mirët në treg.