Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj: Kushdo që kërkon ndryshim të kufijve, do të varroset keq politikisht

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka dërguar një porosi politikanëve të cilët avokojnë ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj komentoi deklaratat e fundit të ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili u shpreh në favor të ndarjes “mes shqiptarëve dhe serbëve në vijën e lumit Ibër në Mitrovicë”.

“Ideja e Vuçiqit dhe e Daçiqit për kufijtë është qe një shekull. Qe një shekull, serbët gatuajnë në kuzhinat e tyre ide për ndarje të tokave të shqiptarëve. Është një brez tjetër, besoj e kanë marrë vesh, nuk mund të ndajë askush më toka të shqiptarëve. Ata mund të bëjnë fqinjësi me shqiptarë nëse duan, por nuk mund të luajnë më kufij, ka perëndu kjo”, tha Haradinaj.

“Do të varrosen keq politikisht të gjithë ata që shkojnë kësaj rruge. Kushdo që shkon rrugës së kufijve, ka me u varrosë keq politikisht”, shtoi ai.