Foto: ZKM

Haradinaj: Kosova, Vend Atraktiv për Investime të Huaja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet kompanisë “Marigona Tower” dhe “Marriot International Inc” për hapjen e hoteleve të para të brenduara në Kosovë tha se prania ekonomike amerikane në Kosovë është lajm i mirë për të gjithë ne.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se besimi i brendit të njohur botëror “Marriott Group” për investim në vendin tonë është nisje e re për Kosovën dhe sinjal i fuqishëm për të gjithë investitorët e huaj.

“Ishte kënaqësi të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes kontraktuale për hapjen e dy hoteleve Four Points nga Sheraton dhe Courtyard, Marriott. Ky investim i madh është dëshmi se Kosova ofron mundësi të shumta dhe është vend jashtëzakonisht atraktiv për investime të huaja”, tha kryeministri Haradinaj sipas një komunikate të Qeverisë.

Carlton Ervin, drejtor i Zhvillimit për Europë nga Marriott International, tha se Kosova ofron mundësi të mirë për rritje dhe hyrje në një treg të ri për Marriott International dhe për gamën e gjerë të brendeve të tij.

Marrëveshja trepalëshe për hapjen e dy hoteleve me famë botërore në Kosovë, Four Points by Sheraton dhe Courtyard by Marriott,  është nënshkruar nga Valton Billalli, drejtor menaxhues i Marigona Tower, Carlton Ervin, drejtor i Zhvillimit për Europë nga Marriott International, dhe Haluk Ozdogan, kryetar i operatorit Access Hospitality.

Investimi i gjithmbarshëm në dy hotelet gjatë tri viteve të ardhshme do të tejkalojë shumën prej 16 milionë euro, ndërsa nga ai do të përfitojnë mbi 150 punëtorë.