Foto: ZKM

Haradinaj: Kosova e gatshme për investime nga partnerët strategjik

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me James Carafano, dhe Anthony Kim nga ‘The Heritage Foundation’ nga ShBA.

“Liria ekonomike e Kosovës ka marrë vlerësim pozitiv nga Heritage Founndation, duke u ranguar më mirë se disa vende të rajonit dhe BE-së. Kjo është dëshmi e orientimit tonë për ekonomi të lirë, duke marrë për model ekonomitë më të mëdha në botë si ajo e ShBA-ve”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e organizatës “The Heritage Founndation”, të kryesuar nga James Carafano, zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme dhe Anthony Kim, menaxher i hulumtimeve dhe autor i publikimit “Indeksi i Lirisë Ekonomike”.

Haradinaj ka informuar Carafanon dhe Kim për progresin e Kosovës në fushën e të bërit biznes, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe për përkushtimin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryeministri gjatë këtij takimi, duke theksuar nevojën e investimeve amerikane në Kosovë, tha se investimet e tyre, ne veçanti në miniera dhe energji dhe jo vetëm me energjinë me thëngjill, por edhe në energjinë e ripërtërishme, si dhe në sektorë të tjerë, do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Zona e veçantë ekonomike Amerikane dhe investimi nga ‘Contour Global’, janë vetëm disa nga ato që qeveria i ka ndërmarrë për ta fuqizuar partneritetin ekonomik me ShBA-të dhe dëshmi e përkushtimit tonë për të krijuar ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për investitorët e huaj, në këtë rast investitorët amerikan”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se qeveria është e përkushtuar për stabilitet politik dhe institucional, një funksionim më i mirë i gjyqësorit, luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Misioni i ‘The Heritage Foundation’ është të formulojë dhe të promovojë politikat publike konservatore bazuar në parimet e sipërmarrjes së lirë, qeverisë së kufizuar, lirisë individuale, vlerave tradicionale amerikane dhe një mbrojtjeje të fuqishme kombëtare dhe ndërtimi i një vendi ku lulëzojnë liria, mundësia, prosperiteti dhe shoqëria civile.

 Liria ekonomike e Kosovës është vlerësuar për herë të parë në Indeksin e vitit 2016. Në renditjen botërore për vitin 2018, Kosova zë vendin e 56 me gjithsej 66.6 pikë.