Gjatë takimit mes Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Bordit Mbikëqyrës të Trepçës- Foto: ZKM

Haradinaj kërkon nga bordi i Trepçës, transparencë e llogaridhënie

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar gjatë ditës së sotme nga bordi i ‘Trepçës” që transparenca e llogaridhënia dhe përkushtimi të jenë prioritet gjatë punës së bordit mbikëqyrës.

Zyra për marrëdhënie me publikun ka njoftuar se gjatë ditës së sotme kryeministri Haradinaj është takuar me bordin mbikëqyrës të “Trepçës”.

“Kërkoi nga anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, që transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi deri në funksionimin e tërësishëm të të gjitha njësive afariste të  Trepçës, të jenë prioritet gjatë punës së Bordit Mbikëqyrës”, ka thënë Haradinaj, njofton zyra e kryeministrit.

Sipas Haradinajt, viti 2018 është vit i Trepçës.

“Qeveria e Kosovës vitin 2018 e ka shpallur vit të Trepçës. Andaj, të gjithë duhet të punojmë me përkushtimin më të madh që ky gjigant të ringjallet, të aktivizohen resurset dhe Trepça të kthehet në misionin e saj, zhvillimin e Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, e ka njoftuar kryeministrin Haradinaj me hartimin e statutit të Trepçës, regjistrimin e saj si shoqëri aksionare si dhe për zgjedhjen e bordit menaxhues.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.