Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Haradinaj i përgjigjet Putinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të dhëna për mediat serbe, lidhur me rolin “destabilizues” të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore në Ballkan.

Në mediat serbe, presidenti rus ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe zhvillimet që pasuan nga këto ngjarje.

“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominant, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”, citohet të ketë thënë Putin.

Sipas kryeministrit të Kosovës, ajo që është destabilizuese për Ballkanin është vetë prezenca ruse e jo ShBA-ja dhe NATO.

“Deklarimeve të Presidentit të Rusisë, Vladmir Putin, dhënë për një media serbe, se politikat e ShBA-së dhe aleatëve perëndimor janë faktorë destablizues në Ballkan, iu përgjigjem se më shumë Amerikë dhe NATO në Ballkan nënkupton më shumë paqe, stabilitet dhe zhvillim. Një prezencë ruse aktive në Ballkan nënkupton të kundërtën e saj. Kosova vjen në paqe”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

https://kallxo.com/putin-ballkani-i-destabilizuar-nga-prezenca-e-shba-se/

www.kallxo.com