Haradinaj falënderon sipërmarrësit e diasporës të cilët ndihmojnë ekonominë kosovare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim kryetarin e unionit të bizneseve të diasporës në Gjermani, Nazmi Viqa, dhe Vllaznim Kelmendin, drejtor për financa dhe marketing, me të cilët ka biseduar për investimet e diasporës në Kosovë.

Haradinaj me këtë rast ka falënderuar biznesmenët nga diaspora të cilët vazhdojnë të kontribuojnë në ekonominë e Kosovës.

“Biseduam për mundësitë që afaristët kosovarë ta investojnë kapitalin e tyre edhe në Kosovë. Falënderues për sipërmarrësit e diasporës që po punojnë bashkë për një zhvillim dinamik të Kosovës dhe në këtë drejtim Qeverinë do ta kenë partner të përhershëm”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Kontributi i mërgimtarëve në Kosovë sa vjen e rritet. Përveç investimeve të tyre në Kosovë, shpenzimeve gjatë qëndrimit në vendlindje, ata dërguan në Kosovë  rreth 800 milionë euro vetëm vitin e kaluar.

Përgjatë trembëdhjetë vjetëve 2006 deri 2018 u dërguan mbi 7.9 miliardë euro ‘para t’thata” që rezulton me një mesatare rreth 51 milionë euro çdo muaj dhe rreth 1.7 milionë euro çdo ditë.

Ky kontribut është infusion për Kosovën, që ka një prej GDP-ve më të ulëta në Rajon. Remitancat kryesisht përdorën për konsum.