Haradinaj: Derisa nuk ndërron qasja e Serbisë, nuk ndërrojmë qëndrime

“Derisa nuk ndërron qasja e Serbisë, nuk ndërrojmë qëndrime”, kështu ka deklaruar sot kryeministri Ramush Haradinaj në konferencë për media, në pyetjet e gazetarëve rreth takës së vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Ndërsa i pyetur se nëse kanë presion nga BE për ta hequr këtë taksë, Haradinaj tha: “Jemi sovran në disa vendime dhe vetëm ne do të vendosim”.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja është duke kërkuar sqarime urgjente lidhur me vendimin e së martës të marrë nga autoritetet e Kosovës për të vendosur tarifa 10 për qind në importet e mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

“Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. Bashkimi Evropian pret që Kosova, që aktualisht është kryesuese e CEFTA-s të përmbushë plotësisht obligimet e kësaj organizate dhe të tërheqë masën”, ka thënë Kocijançiq.

https://kallxo.com/be-i-kerkon-sqarim-kosoves-per-tarifat-ne-mallrat-e-serbise-dhe-bosnjes/

Qeveria e Kosovës të martën ka vendosur masë në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

https://kallxo.com/kosova-vendos-mase-tregtare-ndaj-produkteve-te-serbise-dhe-bosnjes/

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 % për disa produkte që prodhohen në këto dy shtete.

Shala tha se nga kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe, marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.