Xhavit Haliti

Haliti: Askush kundër nesh nuk është duke punuar më shumë sesa ne kundër vetes

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Xhavit Haliti, ka deklaruar gjatë seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga LDK se askush kundër nesh nuk është duke punuar më shumë se sa ne kundër vetes.

“Zotimi jonë ka qenë që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet më mirë se sa trajtohen shqiptarët në Serbi. Nuk e kemi bërë dhe iu kemi dhënë hapësirë që të ankohen dhe iu kemi dhënë fuqi që të na përçajnë. Unë nuk frikësohem që ushtria serbe do të futet në veri as në jug, nuk ka shanse Serbia me sulmu Kosovën, Kosovën jemi duke e dëmtuar ne”, ka deklaruar Haliti.

Haliti ka thënë se nuk e ka ditur se e paskan edhe një armik të brendshëm që e ka emrin Hashim Thaçi që sipas tij nëse ka argumente ai do ta japë nënshkrimin e tij për të shqyrtuar veprimet e Thaçit.

“Nuk e kam ditë që krahas neve, e paskemi një armik të brendshëm që e ka tradhtu Kosovën, që e ka përça skenën politike, dhe çka nuk paska ba dhe ky njeri është një njeri që e paska emrin Hashim Thaçi. Nëse është kështu Kushtetuta i parasheh rregullat për të cilat Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese mund ta thërras dhe ta pyes se ku e ka shkelë Kushtetutën. Nëse ka argumente edhe unë mund ta qes firmën për ta shqyrtuar tradhtinë e zotit Thaçi”, ka thënë Haliti.

Më tej Haliti ka shtuar se është momenti që presidenti dhe partitë politike të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Besoni, nuk ka çka na bon Serbia. Për ta pasur NATO-n aleat duhet me i kry disa detyra, duhet të sillemi me pakicat e komunitetet si sillen vendet evropiane. Mendoj që të gjendet një rrugë, të ulen me  presidentin dhe partitë politike edhe të sqarohemi me njëri tjetrin, pa biseduar me njëri tjetrin, duke u gjuajte nga larg, pa i trajtuar të gjitha temat që janë të domosdoshme dhe me i realizuar si Qeveri, Kuvend, ata që janë do të vazhdojnë të na fusin edhe thikat e tjera të ngatërresave mes nesh dhe në fund humbja do të jetë e jona”, ka përfunduar Haliti.