Gratë në Prishtinë e Prizren nuk do festojnë, por do të protestojnë për 8 Mars
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me 8 Mars, shumë gra në Kosovë vendosin të festojnë, por të tjera do të marshojnë e protestojnë për të drejtat e tyre.
Disa organizata në Prishtinë e Prizren kanë paralamëruar protesta për të premten më 8 mars 2019.
Përmes një njoftimi në Facebook, “MARShojmë, S’Festojmë”, kanë thirrur protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Aktivitetet janë thirrur të mbahen nga ora 12:00 deri në 13:30.
“Më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne Protestojmë dhe nuk Festojmë sepse nuk kemi arritur drejtësi gjinore dhe shoqërore. Prandaj, nuk kemi arsye të festojmë. Kundërshtojmë dhe luftojmë papunësinë dhe varfërinë, e cila është formë e dhunës strukturore që ushtrohet ndaj qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të këtij organizimi.
Gratë përmes marshit protestues duan shoqëri me të drejta të barabarta.
“Më 8 Mars 2019 (ditë e premte) nga ora 12:00 mbledhemi tek sheshi Zahir Pajaziti, duke parakaluar rrugëve kryesore të kryeqytetit për t’i treguar edhe njëherë komuniteteve tona lokale dhe globale se ne do të angazhohemi pavarësisht sfidave për një shoqëri diverse dhe të barabartë”, vijon njoftimi.
Por, sipas tyre marshi nuk përfundon këtu.
“Ne do të vazhdojmë, me PROTESTЁ dhe REZISTENCЁ politike ndaj padrejtësive patriarkale dhe shoqërore. Për gatë dhe të gjithë që ndihen të shtypur nga stereotipet gjinore, ne do të dalim të MARShojmë. Do të MARShojmë për të gjitha punët e shumfishta që gratë bëjnë të paguara dhe të pa paguara”, thuhet në thirrjen e kësaj proteste.
I njëjti mobilizim i grave është shfaqur edhe në qytetin e Prizrenit.
Iniciativa e grave dhe vajzave të Prizrenit, “FEMaktiv” ka thirrur marsh protestues për të premten në sheshin “Shadërvan” me titullin “8 Marshi”.
“Të shtyrë nga pozita e pafavorshme në të cilën gjindet gruaja në Kosovë, si e pa pronë, e pa zë, e ngacmuar seksualisht, e paragjykuar, e dhunuar dhe e vrarë, #FEMaktiv fton burrat dhe gratë, të rinjtë e të rejat, që të bashkohen në marshin tonë protestues me 8 Mars. Sheshi Shadërvan do të jetë vend-grumbullimi i shpresës së të ardhmes së vendit e shoqërisë sonë. Prizreni marshon për 8 Mars!”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në Kosovë, edhe gjatë viteve të kaluara është protestuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.