Nga seanca e sotme e gjykimit të Granit Elshanit | Foto: KALLXO.com

Granit Elshani pa Dokumente të Republikës

Në gjykimin e Granit Elshanit që akuzohet për vrasje të Besart Shabit, tri vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, trupi gjykues informoi prokurorin Andrew Hughes në lidhje me një kërkesë të tij.

Hughes më 12 tetor kërkoi nga gjykata informata prej Ministrisë së Punëve të Brendshme se a i ka përtërirë dokumentet e tij identifikuese dhe të udhëtimit Granit Elshani.

Kur ndodhën të shtënat në City Club” në Pejë në janar të vitit 2010 që  shkaktuan vdekjen e Shabit, i akuzuari Elshani në deklaratën e tij në prokurori kishte thënë se ishte kthyer nga Zvicra në Kosovë për të rregulluar dokumentet identifikuese.

Sipas kërkesës së prokurorit, Elshani gjatë deklaratës në prokurori kishte paraqitur si dokumente të tij një leje të vozitjes dhe pasaportën e UNMIK-ut me datë skadimi më 7 prill 2005.

Kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu i tregoi prokurorit Hughes se gjykata ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme- përkatësisht në Qendrën e Regjistrimit Civil në Pejë se a ka bërë kërkesë Granit Elshani që nga janari i vitit 2010 e deri më sot për ripërtëritje të afatit të pasaportës, apo për nxjerrje të ndonjë dokumenti identifikues.

Sipas gjyqtarit Sharraxhiu Qendra e Regjistrit Civil në Pejë- Drejtoria për Pajisje me Dokumente më 24 tetor ka njoftuar gjykatën se Granit Elshani nuk ka aplikuar për pajisje me dokumente identifikimi e udhëtimi.

“Në bazë të të dhënave- regjistrit elektronik që mban QPD në Pejë, personi me emrin Granit(I) Elshani nga Ozdrimi i Pejës, nuk ka parashtruar kërkesë për t’u pajisur me dokumente personale- letërnjoftim apo pasaportë të Republikës së Kosovës. Domethënë nuk ka aplikuar për ripërtëritjen e dokumenteve pas skadimit të afatit të vlefshmërisë se dokumenteve të UNMIK-ut”, tha kryetari i trupit gjykues.

Në seancën e sotme dëshmoi zyrtari policor Mentor Mala që tha se nga viti 2007 deri në vitin 2012 ka punuar në krim-teknikë, ndërsa tregoi se nga viti 2012 mban pozitën e përgjegjësit për dhomën e dëshmive të hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë se Pejës.

Mala tregoi se kishte dalë të nesërmen në vendin e ngjarjes ku u vra Besart Shabi.

“Në vendin e ngjarjes kam dalë ditën e nesërme në mëngjes. E di se vendi ka qenë i rrethuar dhe ka pasur polic. Me kujtohet se ju kam ndihmuar krim-teknikëve për evidentimin e dëshmive brenda lokalit”, tha polici Mala.

Polici u pyet nga prokurori Hughes se a kishte gëzhoja në lokalin ku ndodhi vrasja.

“E di që ka pasur gëzhoja brenda, por me detaje duhet me ju referuar raportit”, tha dëshmitari.

Prokurori pastaj prezantoi disa skica të vendit të ngjarjes me projektor, ndërsa dëshmitari Mala tha se skicat i kishte përpiluar pas përfundimit të punës në vendin e ngjarjes.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëshmonte edhe Tahir Hyseni, i propozuar nga mbrojtja e Granit Elshanit, por ai mungoi ngase e kishte të sëmurë një të afërm të tij.

Aktakuza pretendon se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë natën kritike Granit Elshani shënjestër të  vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq kishte pësuar Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokurori tutje në aktakuzë përshkuan se mes familjes Elshani e Kelmendi kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë –dhjetë pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com nga filmimi i dorëzimit të  Granit Elshanit vitin e kaluar në Policinë e Pejës dhe daljen e tij para gjykatës mund t’i gjeni në këtë link.