Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

GLPS: Gjykatat Ndikohen më së Shumti nga Politika

Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizoi një tryezë diskutimi me temën “Sfidat në Sistemin e Drejtësisë”, në fillim të së cilës u prezantua raporti i dytë i Indeksit të Performancës së Sistemit të Drejtësisë në Kosovë.

Sipas këtij indeksi ku u përfshinë perceptimet e qytetarëve për këtë sistem, 75.6 për qind të të anketuarve mendojnë se gjykatat janë më të ndikuarat nga politika, derisa ndikimin politik në prokurori e thonë 67.2 për qind.

Në tryezë, Agron Qalaj nga Zyra e Prokurorit të Shtetit u ankua se me numrin aktual të prokurorëve nuk mund të eliminohet krimi që mbretëron në vend.

‘’Më këtë staf që kemi, me numrin e prokurorëve, me lëndët të cilat janë të pranuara është e pamundur që të arrihet eliminimi i krimit]”, tha Qalaj.

Ai tha se Zyra e Prokurorit të Shtetit ka pranuar 55341 lëndë dhe nga të gjitha këto ka arritur të zgjidhë 63055 prej tyre ose 113.94 për qind.

Ndërsa Armend Zemaj nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion tha se viti 2016 ishte një vit më dinamikë të shtuar të punës, pasi që për herë të parë ky komision mbikëqyri zbatueshmërinë e dy ligjeve për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial.

Ai tha se atë që kanë perceptuar qytetarët është një gjendje reale në vend.

“Unë nuk besoj që është vetëm perceptim nga qytetarët për mangësitë që ka Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, por është edhe gjendje reale dhe këto duhet të paraqesin rezultate efektive që edhe mundësia e përcjelljes së efekteve qe kanë ndodhur të mos përsëriten dhe viti 2017 të sjellë rezultate konkrete”, tha Zemaj.

Sipas zyrtarit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Sami Kurteshi shqetësuese është mungesa e njërit nga institucionet në këtë tryezë.

‘’Ajo çka më shqetëson është mungesa e Avokatit të Popullit që dy vjet radhazi në këto organizime’”, tha Kurteshi.

Sipas Kurteshit që edhe vetë para se t’i bashkohej “Vetëvendosjes” ishte avokat i popullit, ky institucion pranon ankesat e qytetarëve drejtpërdrejt në lidhje me problemet e tyre.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” që tha se institucionet e drejtësisë po vuajnë nga mungesa e transparencës dhe llogaridhënies.

Në shtator të vitit të kaluar u publikua raporti i parë i performancës së sistemit të drejtësisë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Raporti i Progresit i vitit 2016 konstaton se Kosova është në fazë të hershme të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

http://kallxo.com/raporti-progresit-sheh-vendnumerim-te-kosoves/