Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë kanë për qëllim ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti lidhur me sipas tij, sulmet që po i bëjnë sistemit të drejtësisë.

Ai përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto sulme kanë për qëllim ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e qytetarëve.

“Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, kërcënimet dhe sulmet e ulëta ndaj Sindikatës së Arsimit, si dhe diskutimi se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dihet mirë që 2024-ta është vit zgjedhor, kanë vetëm një qëllim: ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e madh që po i bëhet qytetarit dhe të dobësimit të Kosovës nga kjo qeveri” – ka thënë ai.

Sipas tij, këto sulme kanë qëllim që në publik mos të flitet për ngritjen e çmimeve, çmimin e lartë të rrymës, pagat e ulëta, pensionet e ulëta, bllokimin e investimeve e kapitale, ikjen e rinisë e shumë tema tjera.

“Pyetjet që duhet t’i bëhen Qeverisë janë: kur do ta ulni çmimin e energjisë? kur do t’i rrisni pagat e pensionet? Kur do të përfundojnë rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë, Prishtinë-Mitrovicë dhe pse e ndalët Autostradën e Dukagjinit?” – ka shkruar ai në Facebook.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po pretendon se Gjykata Kushtetuese është duke penguar jetësimin e reformave nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Haxhiu në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet të trajtoj kërkesat brenda dy muajve sipas ligjit, por e njëjta sipas Haxhiut po i vonon vendimet deri në një vit.

“Gjykata Kushtetuese po pengon jetësimin e reformave. Fakti që ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë se gjykata duhet t’i trajtojë kërkesat e Kuvendit për dy muaj dhe ne po presim një vit dhe kjo po që përbën problem”- tha Haxhiu.

Albulena Haxhiu: Gjykata Kushtetuese po pengon jetësimin e reformave