Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Zyrtarëve për Dëmin ndaj Policisë prej 4503 Eurove

Prokurorja Dulina Hamiti mungoi pa e arsyetuar mungesën e saj në gjykimin e zyrtarëve Zenel Telaku e Liri Bibaj që akuzohen se i shkaktuan dëm prej 4503 eurove Policisë së Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi tha për KALLXO.com se sot parashihej të përfundonte shqyrtimi gjyqësor.

Zenel Telaku e Liri Bibaj po akuzohen për keqpërdorim detyre.

Aktakuza ngarkon Telakun se në cilësinë e personit zyrtar drejtor i Drejtorisë për Menaxhim të Objekteve të Policisë së Kosovës dhe Bibajn në cilësinë e personit zyrtar si inxhinier i hidroteknikës në Drejtorinë për Menaxhimin e Objekteve të Policisë së Kosovës, gjatë implementimit të kontratës për vendosjen e tualeteve statike dhe kontejnerëve për mbeturina kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Tualetet, sipas aktakuzës, ishin vendosur nëpër regjionet e Policisë së Kosovës, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në mes të kompanisë “MSS” nga Prishtina dhe Policisë së Kosovës, konkretisht Drejtorisë për Menaxhim të Objekteve të Policisë së Kosovës.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit i kanë sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm kompanisë “MSS” nga Prishtina, duke i bërë pagesa për shërbime të pakryera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bibaj pretendohet se i kishte përcjellë faturat e kompanisë “MSS” duke ia lejuar që t’i bëhet pagesa e shumës së të hollave prej 4.503 euro për vendosjen e 285 tualeteve statike, me ç‘ rast i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Policisë së Kosovës.