Gjykata Themelore Prizren, hedh aktakuzën e korrupsionit për shkak të parashkrimit të veprës penale

”Pushon procedura penale ndaj të pandehurit Ismet Kryeziu, për shkak të parashkrimit relativ të ndjekej penale”, kështu thuhet në vendimin e Gjykatës, me të cilin vendim hedhet aktakuza e Prokurorisë Themelore Prizren.

”Pasi që nuk ka prova të mjaftueshme se ia pandehuri Xhavit Shabani ka kryer veprën penale”, thotë vendimi i Gjykatës për të pandehurin tjetër.

Ndërsa e dëmtuara Komuna e Prizrenit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Ndaj Ismet Kryeziut, Drejtor i Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, është ngritur aktakuzë për vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar.

Sipas aktakuzës, Kryeziu nga maji i vitit 2007 e deri në gusht të vitit 2016 në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për personin tjetër.

Kjo vepër penale hynë në kapitullin e veprave penale të korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.

I njëjti ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm sepse sipas tij ai kishte zbatuar vetëm ligjin.

https://kallxo.com/drejtori-ne-kadaster-ndihet-i-pafajshem-ne-akuzat-per-pronen-e-komunes-se-prizrenit/

Edhe i akuzuari tjetër Xhavit Shabani, bashkëpronar dhe menaxher i ndërmarrjes ”Mali – Impex” në Prizren, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, prokurorja Ervehe Gashi ka propozuar që të shqyrtohen si prova 66 prova materiale, ku përfshihen dokumente, procesverbale, njoftime, aktvendime ankesa, ekspertiza, kontrata të ndryshme, të gjitha këto për të vërtetuat veprat që i ngarkohen të akuzuarve sipas aktakuzës.

Ndaj aktvendimit për hedhjen e aktakuzës, prokuroria ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, e cila pritet të shqyrtojë rastin.

Gjyqtari i rastit Artan Sejrani, në vendim ka theksuar se pas analizimit me kujdes, ka ardhur në përfundim se ndaj të pandehurit Ismet Kryeziu është parashkruar vepra penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar, ngase kanë kaluar më shumë se 5 vite nga kryerja e veprës penale apo veprimet inkriminuese që i ka ndërmarr.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, Ismet Kryeziu ngarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar. Sipas aktakuzës, Kryeziu nga maji i vitit 2007 e deri në gusht të vitit 2016 në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për personin tjetër.

E në vendimin e gjykatës për hedhje të aktakuzës thuhet se ”parashkrimi relativ në këtë çështje ka arritur me datën 21.05.2012, e prokuroria ka cekur edhe datat 16. 05 2013, dhe 26.08.2016 ku i pandehuri Ismet Kryeziu ka dhënë sqarim respektivisht mendim profesional, këto veprime janë kryer dy respektivisht katër vite më vonë pasi që ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale ”.

Aktvendimi për fillim të hetimi është marrë me datë 01 nëntor 2016, që i bie 4 vite pasi që ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale, sipas vendimit të Gjykatës Themelore Prizren.

Nga këto arsye, Gjykata ka hedhur aktakuzën dhe ka pushuar procedurën pedale ndaj Ismet Kryeziut.

Aktakuza thotë se më 21 maj 2007 Ismet Kryeziu ka marrë aktvendim në kundërshtim me Ligjin mbi tokën ndërtimore, me të cilin vendim ka aprovuar pjesërisht ankesën e ”Mali – Impex” në Prizren për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të një pjese të ngastrës pronar i së cilës ishte Komuna e Prizrenit.

Me këtë aktvendimi i akuzuari Ismet Kryeziu në cilësi të zyrtarit ligjor, ka anuluar në tërësi aktvendimin e Zyrës Kadastrale në Prizren, për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të tokës dhe objekteve në ”Kompleksin e tregut të qytetit Prizren” nga pronari i deriatëhershëm Komuna e Prizrenit, duke e kaluar atë në shfrytëzim të ”Mali – Impex”.

Më tutje në aktakuzë specifikohet edhe veprimi tjetër kur i akuzuari Ismet Kryeziu në maj të vitit 2014 dha sqarim se ”Mali – Impex” duhet të regjistrohet si shfrytëzues i parcelave kadastrale urbane, pa përcaktuar afatin e shfrytëzimit dhe si pasojë e kësaj kompania u bë pronar i një parcele kadastrale, e kjo ngastër ishte vërtetuar nga certifikata e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në zyrën kadastrale në Prizren, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit me vlerën e sipërfaqes së lokaleve 978 metra katrorë, duke përfshirë objekte, depo, dhe tregje në sipërfaqe shtesë prej 220 metra katrorë.

Ndërsa për të pandehurin Xhavit Shabani, gjykata në vendim thuhet se ka analizuar pretendimet e palëve dhe bazuar në aktvendimin e Agjencionit Kadastral të Kosovës, të njëjtit i është dhënë në shfrytëzim pjesa e ngastrës kadastrale në emër të ”Mali – Impex”, pronar i të cilës është i pandehuri Xhavit Shabani.

Xhavit Shabani, ngarkohet me veprën penale të uzurpimit të paligjshëm i pronës së paluajtshme sepse, sipas aktakuzës, në vitin 2012 e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme e kishte uzurpuar pronën e paluajtshme shoqërore, në pronësi të komunës së Prizrenit, së bashku me të gjitha objektet e ndërtuara në të. Aktakuza thotë se Shabani kishte uzurpuar hapësirat të cilat i takojnë komunës së Prizrenit në bazë të kontratës mbi realizimin e tregut të qytetit në lagjen ”Ortakoll” dhe ankesave të kontratës në fjalë.

Gjykata ka konsideruar se nuk përmbushen elementet e veprën penale sipas aktakuzës, ngase Xhavit Shabani ka hyrë në shfrytëzim në këto ngastra kadastrale duke u bazuar në aktvendimin e Agjencionit Kadastral të Kosovës, e nga kjo bazë përjashtohet edhe përgjegjësia penale e të pandehurit.