Bajram Hamitaga

Gjykata e Apelit vërteton pafajësinë e ish-prokurorit Bajram Hamitaga

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka liruar përfundimisht nga akuzat  për keqpërdorim të pozitës zyrtare prokurorin Bajram Hamitaga , si dhe shoferin e tij Luan Delili i cili akuzohej për veprën penale frikësim gjatë procedurës penale.

Lidhur me këtë vendim, prokurori i rastit, Arben Ismjali  ka bërë të ditur për KALLXO.com se tash ka ushtruar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Gjykata e Apelit  me 10 dhjetor 2018 ka vendosur që ta refuzoj ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan e ka vërtetuar.

Gjykata Themelore në Gjilan më 11 qershor 2018 e kishte liruar nga akuza me të cilën ngarkoheshin të akuzuarit Bajram Hamitaga dhe Luan Delili, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme se të akuzarit kanë kryer vepër penale me të cilat ngarkoheshin.

Kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes se ligjit penal.

Prokuroria e Apelit e Kosovës kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan të aprovohet , ashtu që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të gjykohen për veprat penale  që iu vihen në barrë, dhe ta anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

Prokuroria  Themelore në Gjilan, në ankesë pretendon se aktgjykimi  i ankimuar përmban shkelje esenciale të dizpozitave të procedurës penale, nga se i njëjti nuk përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare që janë dhënë ato janë të paqarta dhe në masë të konsiderueshme në kundërthënie, sidomos me faktet vendimtare, e po ashtu të njëjtat arsye janë në kundërshtim eshë me përmbajtjen e shkresave provave të deponuara në këtë çështje penale- juridike.

Gjykata e Apelit vlerësoi se pretendimet anikmore të cekura më lartë nuk qëndrojnë, për arsye se gjykata e shkallës së parë provat e procedurat i ka vlerësuar më përputhje me dispozitat e nenit 361 të KPPK –së, kështu që ka vlerësuar dhe analizuar faktet vendimtare, në këtë çështje penale- juridike dhe në mënyrë të pa dyshimtë ka vetëtuar gjendjen faktike në bazë të së cilës edhe i ka liruar të akuzuarit nga akuza, për shkak të veprës penale keqpërdorim  i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar të akuzuarit Bajram Hamitaga, ndërsa i akuzuari Luan Delili për shkak të veprës penale frikësim gjatë procedurës penale.

 

https://kallxo.com/flet-prokurori-qe-ngriti-aktakuzen-ndaj-prokurorit/

 

Sipas prokurorisë prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të vitit 2016, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

I pandehuri i dytë i këtij rasti, Luan Delili, më 8.4.2016, akuzohet se me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.