Pal Lekaj i ulur në bankën e të akuzuarit - 07.11.2019
Pal Lekaj bashkë me tre të tjerë sërish në bankën e të akuzuarit
Pal Lekaj, Ismet Isufi, Veli Hajdaraga dhe Gani Rama, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjakovës.
Të njëjtit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të prokurorit Atdhe Demaj.
Ish-kryetari i komunës se Gjakovës tash ministër i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.
Në fjalën hyrëse prokurori Atdhe Demaj, tha se aktakuza ka prova të mjaftueshme për çka edhe akuzohen të akuzuarit.
“Unë qëndroj pranë aktakuzës së mbështetur në prova e fakte, por nuk e vlerësoj të arsyeshëm faktin që të bëjë analizën e fakteve veç e veç, pasi që këto fakte do të paraqiten me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare. Me provat e propozuara dhe duke pasur parasysh mbrojtjen e të akuzuarve kjo aktakuzë vërteton veprimet inkriminuese, veprime këto që kanë të bëjnë me kohën dhe vendin e kryerjes së veprës penale. Në aktakuzë në tërësi me provat e propozuara është vërtetuar edhe elementi subjektiv i veprës penale. Andaj jam i bindur se këto thënje do t`i vërtetoni pas përfundimit të shqyrtimit kryesorë”, deklaroi prokurori Atdhe Demaj.
Ndërsa përfaqësuesja e komunës si palë e dëmtuar, Vjollca Shyti mbajti qëndrimin duke e mbështetur aktakuzën e prokurorit Atdhe Demaj dhe deklarimet e tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj tha se nuk e përjashtojnë mundësinë për paraqitjen e provave të reja, me të cilat do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij.
Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Granit Vokshi me autorizim nga avokati Arianit Koci, tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të tij të paraqitur me shkrim.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufi, avokati Haxhi Çekaj tha se qëndrojnë pranë deklarimeve sikurse në seancat e kaluara, se në fund do të vërtetohet pafajësia e tyre.
Mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri tha se qëndron prapa asaj që aktakuza është e pa mbështetur në prova të mjaftueshme.
Pas kësaj, gjykatësi Shaqir Zika njoftoj palët se ditën e nesërme do të dëgjohen ekspertët financiar Gani Gashi dhe Riza Blakaj si dhe hetuesi i ATK-së Haki Gashi.
Para dy javësh ky gjykim ishte shtyrë me kërkesë të prokurorit Atdhe Demaj.
Në këtë rast po akuzohet Pal Lekaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për kohën sa ka qenë kryetar i komunës së Gjakovës.
Ish-kryetari i komunës së Gjakovës Pal Lekaj, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me Ismet Isufin dhe Gani Ramën, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.
Trupi gjykues i këtij rasti përbëhet nga kryetari Shaqir Zika i ndihmuar nga anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.
Kujtojmë se lënda e Gani Ramës ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të akuzuarve të tjerë, pas propozimit të prokurorit Atdhe Dema për bashkimin e lëndëve.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrur Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631,671.82 euro.
Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69,786.00 euro.
Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.
Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre
I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, respektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35,550.00 euro, thuhet në aktakuzë.
Ndërsa, Gani Rama po akuzohet për 218 mijë euro, lidhur me shpërndarjen e subvencioneve.
Ish-zyrtari komunës së Gjakovës po gjykohet për 218 mijë euro
Bëhet e ditur që rasti i Gani Ramës, është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, pasi që gjykata e Gjakovës, Gani Ramën e kishte liruar nga akuza e Prokurorisë, për shkak se nuk ishte vërtetuar se i akuzuari kishte kryer vepër penale.
https://kallxo.com/lirohet-nga-akuza-gani-rama-zyrtar-komunes-se-gjakoves/
Aktakuzën ndaj të akuzuarve, e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës.
https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-zyrtarit-financiar-te-gjakoves/
Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.
Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat
Shuma e keqpërdorur nga i akuzuari Rama është 218,956.67 euro- thuhet në aktakuzë.