Dëgjohen dëshmitarë në gjykimin ndaj ish-inspektorit të ATK-së
Driton Fetahu, ish-inspektor i ATK-së dhe Bledar Hasku, kontabilist, të akuzuar për vepra qe ndërlidhen me korrupsion dolën sot para gjykatës në seancën ku u dëgjuan disa dëshmitarë.
Driton Fetahu po akuzohet për marrje ryshfeti ndërsa Bledar Hasku për dhënie ryshfeti.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e Aliriza Haskut, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë kontabilist në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karrige në vlerë prej 360 eurove.
Servete Hasku, kushërira e Bledar Haskut e gruaja e të dëmtuarit Aliriza Hasku, tregoi se Driton Fetahu ia kishte dhënë një letër për t’ia dhënë burrit të saj.
Këtë letër, dëshmitarja tha se nuk e kishte hapur për ta lexuar.
Dëshmitarja në sallë e identifikoi të akuzuarin Driton Fetahu, si personin që e kishte kërkuar Alirizain atë ditë.
Më pas, dëshmitari Aliefsat Hasku, i biri i të dëmtuarit Aliriza Hasku, tregoi se të akuzuarin Driton Fetahu e kishte parë në muajin janar 2019 kur kishte shkuar në punëtorinë e familjes së tij për të marrë 1 tavolinë dhe 4 ulëse.
Dëshmitari tha se i akuzuari kishte shkuar me furgon që të merrte ato prodhime druri, për të cilat nuk kishte bërë asnjë pagesë.
Ai tha se furgoni kishte qenë Wolswagen me ngjyrë të bardhë me disa reklama mbi të.
Aliefsat Hasku, tregoi se babi u tij Aliriza kishte bërë marrëveshje me ish-inspektorin Driton Fetahu për marrjen e asaj tavoline me karriga, me arsyetimin se letrat e biznesit nuk janë në rregull.
“Unë nga inati jam mundu me bo foto, kur i akuzuari Driton ka hyrë në punëtori dhe se këto gjëra janë bërë përmes kontabilistit Bledar Hasku”- deklaroi dëshmitari Aliefsat Hasku.
Këto foto, dëshmitari ia kishte dërguar babait të tij dhe ai më pas i kishte printuar.
Dëshmitari Aliefsat, tha se për karriget e dyta, i akuzuari Driton Fetahu nuk kishte qenë prezent, por që ato janë bërë përmes kontabilistit Bledar Hasku.
Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Nikollë Komani dhe anëtarët Njazi Morina e Drilon Haraçia, caktuan datën 12 mars, për leximin e shkresave të lëndës.
Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatit.
Një seancë tjetër ishte shtyrë për përmirësim të aktakuzës.
Nga përmirësimi i aktakuzës, i akuzuari Driton Fetahu ngarkohet me veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa Bledar Hasku për dhënje të ryshfetit.
Para ricilësimit të aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit ngarkoheshin që të dy.
Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga Komuna e Rahovecit.
Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karriga në vlerë prej 360 eurove.
Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 100 euro të tjera.
Bashkë me Driton Fetahu, ishte arrestuar edhe kontabilisti Bledar Hasku, i cili më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.
Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.
I vazhdohet paraburgimi ish-inspektorit të ATK-së, i dyshuar për marrje ryshfeti