Gjykimi për keqpërdorim të detyrës - 23.09.2019
Gjykimi për kabllon që e siguroi KEDS-i, e njëjta ishte blerë edhe me para të komunës
Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, dëshmuan dy dëshmitarë.
Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.
Udhëheqësi i punimeve Hasan Alija tregoi se kabllon e kishte sjellë ish-shoferi i KEDS-it, Florim Lakuci, të cilën e kishte lënë afër një shtëpie në fshat.
“Unë nuk e di kush e ka bërë pranimin e kabllos, por të nesërmen depoisti më ka njoftuar se kablloja ka qenë aty. Unë punoj në teren dhe nuk mund ta di sa kablloja vjen e shkon”, deklaroi dëshmitari Hasan Alija.
Ai tha se me dokumentacion kabllon e kishte marrë nga depoja në Gjakovë, por se e njëjta kabllo ishte sjellë direkt nga depoja qendrore në Prishtinë.
“Gjatësia e kabllos ka qenë rreth 500 metra, pjesën që ka mbetur diku rreth 60 metra e kam kthyer në depo”, deklaroi Hasan Alija.
Ai tregoi se shifra e kabllos tregon tension të ulët dhe se atë kabllo ata nuk e përdorin.
“Ne e kemi instaluar kabllon me tension të lartë, e jo kabllo me tension të ulët siç përshkruhet në dokumente”, tha ai.
Alija tregoi se po të dilet në vendin e ngjarjes në bazë të shënimeve mund të konstatohet e tërë kablloja, çfarë është dhe si është.
“Punimet kanë zgjatur më shumë se një muaj sepse është bërë edhe zhvendosja e trafos, e shtyllave të reja dhe përçues të rinj dhe pas kryerjes së punimeve i raportojmë udhëheqësve, e në atë kohë e kam pasur si udhëheqës Pllum Kuqin”, deklaroi Hasan Alija.
Ai tha që si problem i vetëm që kishin pasur ishte rreth prerjes së disa lisave, për të cilët kishte njoftuar udhëheqësin në Malishevë, Dardan Krasniqi.
“I tërë projekti ka qenë me tela të zhveshur, por për shkaqe të sigurisë është vendosur një kabllo. Kabllo i mbuluar është vendosur brenda ditës”, deklaroi Hasan Alija.
Ai tha se nuk i kujtohet nëse kanë vendosur kabllon 10 kv sikur në dokumente, apo 20 kv.
Në këtë rast KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.
Më pas dëshmoi edhe depoisti, Agron Lushi.
Dëshmitari Lushi tregoi se i ishte bërë kërkesa për tërheqjen e asaj kablloje nga depoja e Prishtinës.
“Kablloja nuk ka ardhur në depon në Gjakovë, por drejtpërdrejt prej Prishtinës ka shkuar në vendpunim sepse ka qenë e dëmtuar. Unë bashkë me ish-shoferin Florim Lakuci dhe punëtorin Mustafa Azemi kemi dërguar kabllon në vendpunishte”, deklaroi dëshmitari Agron Lushi.
Ai tha se drejtori Agnez Furra i kishte thënë që kabllon ta dërgoj direkt në vendpunishte.
“Unë nuk kam pasur dijeni për këtë kabllo, vetëm kur e kemi shkarkuar kabllon rreth 590 metra, ka qenë i pranishëm punëtori Myvledin Berisha por nuk ka nënshkruar që e ka pranuar kabllon, do të thotë nuk ka mbajtur shënim”, deklaroi Lushi.
Agron Lushi tha se kërkesën për kabllo e ka bërë udhëheqësi Pllum Kuqi.
“Kablloja ka qëndruar rreth dy javë në vendpunishte derisa ekipi i ka kryer punët paraprake dhe se një pjesë e kabllos rreth 90 metra ka tepruar”, deklaroi dëshmitari Agron Lushi.
Ai tha se çdo material merret me fletëkërkesë e lejuar nga udhëheqësi i mirëmbajtjes dhe menaxherit apo drejtorit.
“Nëse neve në Gjakovë na mungon një material në depo atëherë kërkojmë nga depoja në Prishtinë dhe atëherë në vitin 2015 më duket se kërkesa është bërë përmes emailit, por se nuk e di kush e ka bërë”, deklaroi Agron Lushi.
Agron Lushi tha se sipas dokumentacionit thuhet se janë dorëzuar 500 metra dhe pjesa e mbetur është kthyer, pasi që në të njëjtën ditë është bërë kërkesa dhe është vendosur.
Lushi shtoi se kablloja për të cilën dyshohet se është blerë është e tensionit të ulët dhe se nuk ekziston në treg.
Ai tha se kablloja kishte qenë e 10kv (kilovatëve), ndërsa ajo e 20kv shërbente për instalimin në tokë dhe se po të dilej në vend të ngjarjes, atëherë do vërehej çfarë kablloje është.
Gjykata caktoi datën 17 tetor për vazhdimin e seancës së radhës.
Në seancën e kaluar kishte dëshmuar ish-drejtori u KEDS-it, Agnez Furra.
Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë
Në këtë rast KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.
Një seancë e këtij gjykimi kishte dështuar të mbahej për shkak të mos-prezencës së të akuzuarit.
Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë
Në këtë gjykim kishte dëshmuar edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Dëshmia e Ragip Begajt në akuzat për korrupsion në Malishevë
Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik
Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8,727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.