Gjenerali Amerikan: Për të Ardhmen e FSK-së Vendos Kuvendi

Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë, gjenerallejtënant Ben Hodges, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme të shndërrohen në ushtri, por vendimin për transformimin e kësaj force e la në duar të deputetëve të Kuvendit.

Gjenerali Hodges u prit sot në Prishtinë nga komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, për të biseduar për situatën në Kosovë dhe bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Hodges tha se pjesëtarët e FSK-së i kishin lënë përshtypje të mëdha.

“Ajo se çfarë unë kam parë është me të vërtetë shumë mbresëlënëse. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që këtë vendim për transformim ta mbështesë edhe parlamenti do të thotë pjesa politike. Mbikëqyrja civile e forcave është një ndër gjërat esenciale të kulturës. Kur të jemi gati dhe kur të është vendimi Gjeneral Rama tani më e ka kryer pjesën e vet dhe do të bëhet vendimi për transformimin”, tha Hodges.

Ai shtoi se në ushtrimin e përbashkët i cili është bërë në Shqipëri, ka hasur në ushtarë të cilët kanë qenë në formë dhe shumë të talentuar, ndërsa shtoi se ata dukeshin të gatshëm që të kontribuojnë.

“Dje në ushtrimin e përbashkët që e  kemi pasur në Shqipëri kam parë ushtarakë të cilët kanë qenë shumë në formë të talentuar dhe të gatshëm që të kontribuojnë. E di që ju tani keni bërë operacione të kërkim shpëtimit në Shqipëri që do të thotë që ju tani keni bërë dhe keni marrë pjesë në misione jashtë vendit”, shtoi Honges

Ndërsa, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se gjenerali Hodges e ri konfirmoi mbështetjen e e ushtrisë amerikane.

“Me gjenerallejtënant Ben Hodges e ri konfirmuam mbështetjen që e kemi prej ushtrisë amerikane”, tha Rama.