Gjenden Eshtra të të Vrarëve të Srebrenicës

Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur tha për BIRN të martën se eshtrat e 55 personave janë zhvarrosur nga varri masiv në një vendgrumbullim mbeturinash në Kozluk.

Zëdhënësja e institutit Lejla Çengiq tha se sipas informacioneve paraprake, viktimat janë boshnjakë të vrarë në korrik 1995, pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan enklavën e Srebrenicës të mbrojtur nga OKB-ja, duke masakruar më shumë se 7,000 burra dhe djem.

Janë gjetur 15 trupa të plotë dhe 40 trupa jo të plotë, tha Çengiq.

“Përveç mbetjeve mortore, kemi gjetur edhe copa veshjesh, një unazë martese, një orë dore dhe rreth 30 fishekë,” tha ajo.

“Zbuluam se viktimat, trupat e plotë të të cilëve u gjetën në varr, janë vrarë me duart e lidhura pas shpine. Ne gjetëm litarët me të cilët ata janë lidhur,” shtoi ajo.

Vendndodhja e varrit masiv u zbulua pasi Gjykata e Hagës dërgoi pamjet satelitore që tregonin se terreni ishte lëvizur. Zhvarrosja filloi më 4 dhjetor dhe pritet të përfundojë të martën.

Eshtrat janë transferuar në Qendrën Përkujtimore në Tuzëll për identifikim.

Zëdhënësi i Prokurorisë Shtetërore Boshnjake Boris Grubesiq tha se në pranverë në Kozluk do të kontrollohen dy vende më të vogla, duke qenë se Gjykata e Hagës ka dërguar pamje të tjera satelitore që sugjerojnë se këtu mund të jenë varrosur trupa të tjerë.

“Deri më tani kemi zhvarrosur rreth 805 viktima në total nga zona e Kozlukut dhe kemi informacione se në këtë zonë në korrik 1995 janë vrarë më shumë se 1,000 persona. Kështu që shpresojmë që në të ardhme të gjejmë viktimat e mbetura,” tha Grubesiç.

Kjo është hera e katërt që në Kozluk kryhen zhvarrime.

Në vitin 1999 hetuesit e Gjykatës së Hagës gjetën tre varreza masive në të njëjtin vend dhe identifikuan 377 trupa të zhvarrosur prej tyre, nga të cilët 30 ishin trupa të miturish.

Masakrat e Srebrenicës janë klasifikuar si gjenocid nga vendimet e dhëna nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.

Liderët ushtarakë dhe politikë serbë të Bosnjës, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq, janë aktualisht në gjyq në Hagë për gjenocid kundër boshnjakëve të Srebrenicës, midis akuzave të tjera.