Prezantimi i draft-analizës "Mangësitë Ligjore në Legjislacionin e Kosovës në Çështjet Lidhur me Arsimin e Lartë" nga GSJP, Foto: Kallco.com

Gjashtë Mangësitë në Legjislacionin e Kosovës për Arsimin e Lartë

‘Grupi për Studime Juridike dhe Politike’ (GSJP) ka realizuar një draft analizë të politikave me titull “Mangësitë Ligjore në Legjislacionin e Kosovës në Çështjet Lidhur me Arsimin e Lartë”, ku janë identifikuar 6 mangësi ligjore që trajtojnë fushën e arsimit të lartë.

E para është mungesa e kritereve thelbësore për emërimin e anëtarëve të Bordit të Këshillit SHtetëror të Cilësisë dhe mungesa e përcaktimit të mundësive të shkarkimit të tyre nga MAShT, kurse e dyta mangësi është mosrespektimi i parimit të integritetit akademik dhe mungesa e standardeve të larta dhe rigoroze të procesit të akreditimit të institucioneve bartëse të arsimit të lartë, programeve studimore të tyre dhe statusit juridik që ato mbajnë.

“Sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë është përgjegjësi ligjore e AKA-s e cila duhet të arrihet në mënyrë të pavarur nga palët e treta. Rrjedhimisht, MAShT me rastin e emërimit të anëtarëve të Bordit të KShC-së ka dyert e hapura të përzgjedh anëtarët sipas nevojës dhe vullnetit të tyre me plotësimin e kushteve ligjore të pakta”, thuhet në draft analizën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Arbërie Nagavci, anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka thënë se është e kënaqur që çështja e arsimit të lartë po merr vëmendjen e duhur në funksion të përcaktimit të qartë të profesionalizmit më të madh.

Ajo ka shpjeguar se Ligji për Arsimin e Lartë ka qenë në rend edhe legjislaturën e kaluar por se ministri Arsim Bajrami Bajrami e ka tërhequr.

“Sipas informacioneve është tërhequr për shkak të problemeve në universitetin e Mitrovicës Veriore, kolegjet dhe statuset e universiteteve publike, por ky ligj është në rend për vitin 2018”, ka thënë Nagavci.

Deputetja Nagavci përmendi edhe çështjen e KShC-së duke thënë se kjo çështje është adresuar që nga shkarkimi i tij.

“Ne kemi bërë kërkesë që ministri të raportoj para komisionit por ky raportim nuk u bë asnjëherë, kemi kërkuar përgjigje prej tij por nuk kemi marrë. Jemi angazhuar për me kërku zgjidhje për dëmet që tashmë janë bërë. Këto shkelje nuk janë të reja, janë bërë edhe më herët, Këshilli i kaluar e ka kryer detyrën e vet pa u ratifikuar asnjëherë në Kuvend”, ka theksuar Nagavci.

Dy mangësi të tjera të identifikuara në legjislacionin e Kosovës sa i përket arsimit të lartë janë, mungesa e saktësimit të kritereve të cilësore të cilat duhet të përmbushen me rastin e angazhimit të stafit akademik si bartës të programeve studimore të një institucioni po ashtu edhe mungesa e trajtimit të angazhimit të stafit akademik me rastin e aplikimit për akreditim, mundësia e shkëputjes së këtij angazhimi gjatë kohës sa është programi i akredituar si dhe ndikimi që kjo shkëputje e angazhimit të stafit akademik të miratuar nga AKA do të kishte në programin e akredituar.

“Normat juridike që rregullojnë fushën e arsimit të lartë në Kosovë përcaktonë që çdo program studimor për të cilin aplikohet për akreditim për një institucion, ai institucion duhet të ketë të paktën tre anëtarë të stafit akademik të kualifikuar në nivelin PhD”, thuhet në analizë.

Aty konstatohet se duke qenë ky i vetmi kriter i cili kontribuon në cilësinë e programit studimore që ofrohet dhe që kërkohet në mënyrë që të akreditohet një program studimore i një institucioni, tre diploma të nivelit PhD është i vetmi mjet i nevojshëm për akreditimin e një programi studimor të një IAL-je në Kosovë.

“Ky rregullim si i tillë ndikon shumë në uljen e cilësisë dhe degradimin e fushës së arsimit të lartë në tërësi. Fillimisht, kjo dispozitë është teknike në përmbajtje dhe aspak thelbësore”, potencohet në analizën e realizuar nga ‘Grupi për Studime Juridike dhe Politike’.

Dukagjin Pupovci, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Arsim e Kosovës (KEC) duke komentuar të gjeturat e analizës tha se mangësia më e madhe në arsimin e lartë është moszbatimi i ligjit.

Ai ka deklaruar se që nga viti 2002 i kemi dy ligje për arsimin e lartë kurse tash është duke u përgatitur edhe ndryshimi i ligjit por se këto ligje nuk janë respektuar asnjëherë.

“Deri në vitin 2011 është zbatuar ligji i vitit 2002 ku thuhet që AKA është e pavarur por ajo asnjëherë nuk ka qenë e pavarur. Vendimi për akreditim në vitin 2009 e ka marrë qeveria e Kosovës, pra shikoni deri ku ka shkuar shkelja e ligjit. Në vitin 2011 anëtarët e bordit i ka ratifikuar prej Kuvendit”, ka thënë Pupovci.

Ai ka theksuar se ligjet tona kanë filluar t’i përngjajnë ligjeve të komunizmit, duke futur gjithçka në të.

“Ligjet e arsimit janë pjesë e pakos speciale ku kërkohet edhe pëlqimi i komuniteteve pakicë. Jemi në një lloj rrethi vicioz nga njëra anë mundohemi me normu sa më shumë e në anën tjetër ato po bëhen pengesë. Në legjislacion duhet të parashihet një funksionim më i mirë i mekanizmave”, potencoi Pupovci.

Dy mungesa të tjera ligjore të identifikuara në legjislacionin e Kosovës për arsimin e lartë nga ‘Grupi për Studime Juridike dhe Politike’ janë, mungesa e rregullimit juridik të procesit të avancimit të stafit akademik brenda IAL-ve të Kosovës dhe mungesa e përcaktimit të. numrit konkret të studentëve të cilët mund të ndjekin një program të caktuar studimor pranë një IAL-je në Kosovë në proporcion me stafin akademik i cili mund të angazhohet nga këto institucione.

Në analizën për mangësitë e legjislacionit në Kosovë në fushën e arsimit të lartë nënvizohet se asnjë akt juridik i legjislacionit për arsimin e lartë nuk e trajton procesin e avancimit të stafit akademik brenda një institucioni bartës të arsimit të lartë në Kosovë.

“Si i tillë, i njëjti lihet nën lirinë e veprimit të çdo institucioni të akredituar nga AKA të cilët nuk kanë asnjë direktivë ligjore për të ndjekur me rastin e avancimit të stafit të tyre akademik. Rrjedhimisht, mënyra se si udhëhiqet ky proces nga IAL-të në Kosovë është tejet jo transparente dhe e pa monitoruar”, potencohet në analizë.

Alessandra Roccassalvo, zëvendës-përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë u shpreh se nuk e di se si arsimi i lartë në Kosovë ka ardhur deri te kjo situatë.

Ajo lavdëroi fëmijët në Kosovë duke thënë se kur flet me fëmijët 9 dhe 10 vjeçar në Kosovë, ata mund të bëjnë një bisedë të rrjedhshme në anglisht, kurse të njëjtën nuk mund ta bëj me mbesat dhe nipat e saj për shkak të sistemit të ndryshëm të arsimit.

“Jeni duke bërë një gjë të mirë sa i përket gjuhëve. Shpresoj që viti 2018 të jetë viti ku ju të ecni përpara. Arsimi është shumë i rëndësishëm përtej planprogrameve. Rinia e Kosovës është aseti më i madh. Korrupsioni shihet si shumë i lartë në shtet dhe duhet të besojmë në progres sepse besimi është shumë i rëndësishëm. Mendoj që Kosova është e gatshme për reforma dhe është duke bërë më shumë”, ka theksuar përfaqësuesja e UNDP-së, Alessandra Roccassalvo.

Disa nga rekomandimet e kësaj analize janë që të përcaktohen kritere thelbësore për emërimin e anëtarëve të Bordit të KShC-së dhe të enumerohen mundësitë për shkarkimin e tyre nga MAShT, të ngrihen dhe të ashpërsohen atandardet e procesit të akreditimit  të institucioneve bartëse të arsimit të lartë, programeve studimore të tyre dhe statusit juridik që ata mbajnë, të analizohen kërkesat e tregut dhe të mirren parasysh ato me rastin e akreditimit të IAL-ve dhe programeve të tyre etj.

Rron Gjinovci, Drejtor Ekzekutiv nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka theksuar se kur folët për ligjin dhe për zbatueshmërinë e tij ne themi se ligjet janë shumë të mira por nuk zbatohen, por sipas tij kjo nuk është e vërtetë.

“Nuk po mendoj që ligjet që i kemi munden me i rregullu situatat në të cilat jemi. Në një vend si i joni ku secili kçyr qysh me i shkelë ligjet duhet me pasë ligje shume të detajuara”, ka theksuar Gjinovci.

Ai ka folur pak edhe për punën e ORCA-s sa i përket avancimeve të profesorëve duke treguar se kanë arritur t’i ndalin 70 avancime të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret për avancim.

“Ky aktivitet i joni tregon që nëse këmbëngulim për diçka, ia dalim me ndalë diçka të gabuar. Jam ithtar i detajimit të ligjeve për shoqërinë tonë”, ka përfunduar Gjinovci.

Është njoftuar se versioni përfundimtar i draft analizës “Mangësitë Ligjore në Legjislacionin e Kosovës në Çështjet Lidhur me Arsimin e Lartë” do të publikohet në muajin shtator.