Gjakova Fillon Transportin e Nxënësve

Kryetari i sapozgjedhur i Gjakovës, Ardian Gjini. ka marrë vendimin e parë për sigurimin e transportit për nxënësit e kësaj komune.

Gjini përmes faqes në “Facebook” të Komunës së Gjakovës ka njoftuar për këtë vendim, duke e quajtur jashtëzakonisht të nevojshëm.

“Ky proces i vonuar mbi një vit e gjysmë sot po nis në të mirë të nxënësve. Qeverisja e re nuk do të lejojë që procese të tilla kaq të ndjeshme të zvarriten apo vonohen në të ardhmen”, tha Gjini.

Megjithëse nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me funksionimin apo shtrirjen e transportit për nxënës, Gjini ka treguar për tenderët që sipas tij do të kryhen me kohë në të ardhmen.

“Tenderi për transportin e nxënësve, ai për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve dhe të gjithë tenderët tjerë që kanë limit kohor të realizimit do të shpallen dhe do të jenë të gatshëm me kohë përgjatë katër viteve të ardhshme”, citohet të ketë thënë Gjini.