Gjykata vendos për Glauk Konjufcën në lidhje me lotsjellësin

Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuzat kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën për gazin lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

Gjyqtarja e rastit Edita Çanta tha se nga provat personale dhe materiale nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën penale në fjalë. Vendimi i gjykatës u shpall më 26.02.2024.

Kurse lidhur me pikën e dytë të akuzës ndaj Konjufcës ‘Pengimi i personit zyrtar’, gjykata konfirmoi se e njëjta ka arritur parashkrimin absolut që në gusht të vitit 2022, çka do të thotë se e njëjta nuk mund të ndiqet më penalisht.

Glauk Konjufca gjithashtu është liruar nga shpenzimet procedurale dhe paushalli gjyqësor. Konjufca nuk ka qenë prezent në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit më 26.02.2024.

Palët e pakënaqura do të mund ta ankimojnë këtë vendim në afat prej 30-ditësh.

Sipas aktakuzës së tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Më 21.02.2024, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje para Gjykatës së Prishtinës gjatë dhënies së mbrojtjes së tij nën akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës.

“Deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi. Asaj i përmbahem, kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje, të cilën ma mundëson edhe ligji.” – kishte thënë Konjufca para gjykatës.

 

Prek fundin gjykimi ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës