‘Ftyra’ nuk votohet për Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës

Kuvendi i Kosovës me votë të fshehtë ka votuar sot për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, por asnjë nga kandidatët nuk ka dalë fitues dhe konkursi duhet të përsëritet.

Kandidatë për drejtor ishin Naser Shala i cili mori 46 vota dhe Florie Kika 40 vota, kurse për pozitën zëvendës drejtor ishin Milaim Çekaj me 47 vota dhe Mark Buzhala me 35 vota. 9 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkurar që Kryeministri i Kosovës i ka dërguar në Kuvend emrat e kandidatëve për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës dhe ka shkruar për CV-të e këtyre kandidatëve.

Edhe KALLXO.com ka përcjellë mbledhjen e Komisionit për Legjislacion i cili i kishte dërguar këta emra në seancë pa rekomandim të komisionit.

Komisioni për Legjislacion nuk e ka përkrahur listën me persona të propozuar për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Kundërshtime për Propozim-vendimin e Qeverisë me kandidatët për drejtor dhe zëvendësdrejtor kanë ardhur për shkak të lidhjeve të kandidatëve me politikën.