Ceremonia përmbyllëse e platformës "Fole n'fole" - Foto: KALLXO.com

‘Fole n'Fole’ Shpërblen Superndryshuesit

Djem dhe vajza të reja të cilët kanë ngritur zërin e tyre ndaj të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës janë shpërblyer nga “Fole n’fole”.

Platforma online “Fole n’fole”, e cila ka për qëllim inkurajimin e rinisë kosovare që të përfshihet në proceset politike dhe zgjedhore, ka shpërblyer të rinjtë që kanë qenë aktivë dhe kontribues në debate. Me këtë rast u shfaq edhe dokumentari “Udhëtimi i Superndryshuesve të Kosovës”.

Në mesin e të shpërblyerve ka qenë edhe Natura Kalisi për videon më të mirë, Blerona Tëmadha për artikullin më të mirë, Dritan Syla si superndryshuesi më i mirë online, kurse superndryshuesi i vitit u zgjodh Rexhep Kameraj.

Superndryshuesi i vitit tha se diskutimet u kanë ndihmuar ta njohin njëri-tjetrin por edhe të kërkojnë zgjidhje për problemet.

“Deri vonë kam menduar se të rinjtë nuk kanë shumë hapësirë për të diskutuar për çështje të ndryshme, mirëpo më vonë e kam kuptuar se ekziston një fole ku ne të rinjtë mundemi me e shpreh mendimin tonë për çështjet që na preokupojnë”, tha Rexhep Kameraj.

Në kuadër të “Fole n’fole” janë bërë 626 postime në mediat sociale me mbi 26,366 reagime, si dhe janë shpërndarë rreth 435 artikuj e 121 video.

Udhëheqësi i organizatës PEN në Kosovë, Bujar Fejzullahu tha se të rinjtë e Kosovës janë agjentë të ndryshimeve shoqërore.

“Jeni ju ata të cilët do të jeni udhërrëfyes për një të ardhme sa më të mirë, prandaj përfshirja juaj në proceset politike dhe zgjedhore është jetike për vendin tonë”, tha ai.

Në kuadër të “Fole n’fole” janë realizuar 20 takime me kryetarë/e të komunave, 10 debate publike, 7 simulime të zgjedhjeve për kryetar/e të komunave, 10 simulime të asambleve komunale dhe 10 takime me parti politike.

Kryetarja e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se ndryshimi në vend nuk mund të arrihet nëse nuk përfshihen edhe të rinjtë.

“Konsideroj që të gjithë që jemi prezentë këtu pajtohemi se demokracia ekziston atëherë kur qytetarët vendosin për qeverisjen e vendit të vet dhe demokracia është më e fortë kur ajo është gjithëpërfshirëse, pra kur hyn edhe rinia jonë”, tha ajo.

Gjatë 11 muajve sa ka zgjatur ky aktivitet të rinjtë kanë diskutuar për tema të ndryshme si: nevoja e psikologëve në shkolla, bursat për studentë, biletat më të lira, ndryshimet në mes të gjeneratave, etj.

Shefi i Zyrës së IFES-it në Kosovë, Alan Wall, tha se të rinjtë kanë arritur të krijojnë një platformë të fuqishme debati.

“Idetë qe ata kanë diskutuar dhe postimet që kanë bërë tashmë kanë tërhequr vëmendjen. Kjo vërehet edhe nga klikimet qe kanë marrë videot e tyre të postuara”, tha ai.

Ai tha se të rinjtë qe kanë qenë pjesë e këtij projekti janë treguar të aftë dhe se Kosova do te jetë në duar të mira nëse punohet në këtë mënyrë.

“Foleja”, e cila këtë vit mirëpriti rreth 3,045 opinione nga rinia mbi proceset politike dhe zgjedhore, implementohet nga PEN- Rrjeti i edukatorëve bashkëmoshatarë, përmes Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) dhe mbështetet nga USAID.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com