Fitohet beteja ligjore ndaj KPK-së për qasje në dokumente publike

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk do mund t`i mbajë më të mbyllura për publikun vendimet e formës së prerë të rasteve disiplinore ndaj prokurorëve. Kjo pasi Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për herë të dytë ka fituar betejën gjyqësore KPK-së.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka vërtetuar për të dytën herë se pretendimet e palës paditëse – BIRN-it janë të bazuara dhe ka hedhur poshtë pretendimet e të autorizuarit të palës së paditur KPK-së, Haxhi Dërguti, se “padia e BIRN-it duhet hedhur poshtë si e pabazuar”.

Me aktgjykimin e datës 28 qershor 2016, Gjykata ka vërtetuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e tjera në fuqi, pasi ka refuzuar kërkesën e BIRN-it për qasje në dokumente publike – vendime të formës së prerë, përmes së cilave vendime u janë shqiptuar masa disiplinore prokurorëve.

“Informacioni i kërkuar sipas vlerësimit të Gjykatës nuk mund të konsiderohet privat ngase veprimet e individëve në kapacitetet e tyre zyrtare, si prokurorë, janë akte zyrtare të nëpunësve publikë, që kryejnë  detyrë publike dhe se aktet e tyre kanë ndikim të drejtpërdrejt në të drejtat ligjore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me ç’rast kërkojnë integritet dhe besueshmëri në procesin e vendimmarrjes nga ana e prokurorëve dhe si pasojë çdo sjellje e pahijshme nga ana e tyre bie brenda përjashtimit të “privatësisë” dhe në rastin sikur do të binte brenda domenit të privatësisë së tyre do të eliminonte në themel natyrën publike të detyrave që u janë besuar prokurorëve si mbrojtës të ligjit në Kosovë”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata ka hedhur poshtë pretendimet e palës së paditur se me qasjen në dokumentet e kërkuara nga BIRNB shkelet privatësia e prokurorëve.

“Prokurorët publikë të Kosovës dihen me emër dhe mbiemër se kush janë dhe se momenti i dekretimit ka qenë publik dhe se publikimi i emrit dhe mbiemrit të prokurorit dhe masave disiplinore të shqiptuara ndaj tyre nga i padituri nuk do të cenonte të dhënat personale. Ngase këtu paditësi nuk ka kërkuar dokumente te i padituri të fazës së hetimit disiplinor ndaj prokurorëve, por ka kërkuar dokumente, përkatësisht vendime përfundimtare”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës.

Po sipas këtij aktgjykimi, Këshilli Prokurorial i Kosovës del se ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Procedurën Administrative, Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Dokumentet e kërkuara nga paditësi (BIRN), përkatësisht vendimet e formës së prerë, që kanë të bëjnë me masat disiplinore të shqiptuara ndaj prokurorëve, nuk bëjnë pjesë në llojet e dokumenteve që përjashtohen nga qasja sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. E drejta e qasjes në dokumente publike është e drejtë themelore për një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe një nga treguesit e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike ndaj qytetarëve, shoqërisë civile, mediave, etj.”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Më këtë aktgjykim Gjykata e ka obliguar Këshillin Prokurorial të Kosovës që ta anulojë vendimin me të cilin që nga viti 2011 ka refuzuar t`ia lejojë BIRN-it qasjen në dokumentet e kërkuara. Rrjedhimisht e ka obliguar që t`ia lejojë qasjen BIRN-it në të gjithë vendimet e formës së prerë me të cilat janë shqiptuar masa disiplinore kundër prokurorëve të Republikës së Kosovës.

Ky është aktgjykimi i dytë në favor të Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, pas atij ndaj Zyrës së Kryeministrit, ku Gjykata i ka lejuar qasjen në të gjitha dokumentet publike, faturat e shpenzimeve të kryeministrit, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

Raportet për këto dy padi të BIRN-it dhe seancat e zhvilluara mund t’i gjeni këtu.