Foto-ilustrim

Malishevë, dënohet pasi tentoi t’ia ndalojë bashkëshortes performancën si këngëtare

Një burrë është shpallur fajtor nga Gjykata e Gjakovës, dega në Malishevë, për kanosje ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas aktgjykimit, burri me qëllim të frikësimit e ka kanosur bashkëshorten se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe nëse ajo nuk e lë punën si këngëtare.

Në aktgjykim bëhet e ditur se pasi një natë e dëmtuara e ka përfunduar punën në lokalin ku punon si këngëtare, i pandehuri e ka pritur dhe e ka ndjekur me veturë derisa ajo e ngiste veturën e saj.

“E më pas e thirr në telefon dhe i drejtohet me fjalët ,,ose leje punën ose skam me ta lan vendin vend” me ç’rast tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë dhe ankth dhe pasiguri për jetën e saj” – përshkruhet në aktgjykim.

Sipas këtij aktgjykimi, ngjarja ka ndodhur më 5 shkurt 2022 rreth orës 01:00 në Malishevë.

Për këtë vepër, Gjykata e ka dënuar të pandehurin me gjobë prej 300 euro, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro për programin e kompensimit të viktimave të krimit.

Në aktgjykim thuhet se i pandehuri e ka pranuar fajin, se është shprehur i gatshëm të kërkojë falje dhe se ka premtuar se nuk do të kryejë ndonjë vepër penale.