Prapa grilave - Ilustrim

Prizren, dënohet me tri vite burg për vjedhje të rëndë

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tre vite burgim, një mijë euro gjobë dhe dënim plotësues të akuzuarin G. Sh. për vjedhje të rëndë.

Sipas Gjykatës, me datë 21 shkurt 2021, në orët e pasdites në Prizren, i akuzuari në mënyrë të rrezikshme i ka këputur dhe vjedhur nga qafa zinxhirin një gruaje.

“Duke vepruar në mënyrë të rrezikshme apo të vrazhdë, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara V.K., bashkë me vajzën e saj ishte duke ecur në këmbë përgjatë trotuarit, kur arrijnë tek kryqëzimi i rrugës, i akuzuari G.Sh., i afrohet të dëmtuarës dhe ana e majtë i ‘a kap zinxhirin e arit nga qafa duke i ‘a këputur, pastaj i pandehuri largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por kapet dhe ndalet nga disa kalimtarë të rastit derisa arrin Policia për ta prangosur të njëjtin”, shkruan në njoftimin e  Gjykatës.

I akuzuari G. Sh., në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.

Bazuar në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, i akauzuari përpos dënimir kryesor me tri vite burg i ka shqiptuar dënimin me gjobë prej një mijë eurosh dhe dënim plotësues në marrjen e zinxhirit ngjyrë ari.