Dënohet dileri i kokainës në Fushë-Kosovë
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burg me kusht e gjobë të pandehurin R.H., i akuzuar për posedim të drogës dhe për armëmbajtje pa leje.
Për veprën e parë i pandehuri është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i pandehuri në periudhën verifikuese në afat prej dy viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër të re penale dhe me gjobë në shumën prej shtatëqind euro.
Për veprën e dytë penale, i pandehuri është dënuar me gjobë prej tetëqind euro.
Sa i përket dënimit unik, Gjykata ka bërë të ditur se të pandehurit R. H. i është shqiptuar dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i pandehuri në periudhën verifikuese në afat prej dy viteve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër të re penale si dhe dënim unik me gjobë në lartësi prej 1,500 euro, të cilin dënim mund të paguajë me tre këste.
R.H. është shpallur fajtor pasi që pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes ka poseduar substanca të cilat janë shpallur më ligj si narkotikë.
Sipas shkresave të lëndës, më 1 dhjetor 2018, në Fushë-Kosovë, Policia me rastin e zbatimit të masave të fshehta dhe teknike të hetimit dhe vëzhgimit, ka ndaluar të pandehurin dhe me rastin e kontrollimit në xhepin e xhaketës i janë gjetur 8 paketime të vogla, ndërsa në portofolin e tij tri paketime të vogla, të gjitha të përgatitura për shitje apo për shpërndarje.
Droga e gjetur në posedim nga ai dyshohej se ishte kokainë.
Pastaj me rastin e bastisjes së banesës të cilën e ka pasur në shfrytëzim në Fushë-Kosovë, në dhomën e fjetjes janë gjetur një qese e plastikës e mbushur me substancë narkotike të dyshuar si marihuanë, një peshore elektronike, një peshore me mbishkrimin “konstante”, para në shumë prej 1,700.00 euro, të cilat të gjitha janë sekuestruar.
Pas ekzaminimit të substancave të dyshuara në Laboratorin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë është konstatuar se 11 paketimet e vogla të lartcekura sipas përbërjes kimike përmbajnë kokainë.
Ndërsa, për veprën e dytë penale, Gjykata ka njoftuar se i pandehuri nga data e pacaktuar e deri më 1 dhjetor 2018 ka mbajtur në pronësi në mënyrë të paligjshme armë.
Gjatë bastisjes së banesës së tij, në Fushë-Kosovë, në dhomën e gjumit Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e gazit e tipit “Ekol” model “special 99” me karikator me 8 fishekë, një pistoletë e gazit e tipit “Zoraki” e ridizajnuar nga armë me gaz në armë zjarri, me një karikator me tre fishekë, si dhe 12 fishekë të tjerë.
Gjykata ka bërë të ditur se të pandehurit koha e kaluar në paraburgim nga 1 dhjetor 2018 deri më datën 11 mars 2019 si dhe në arrest shtëpiak nga data 11 mars 2019 deri më datën 15 prill 2019 do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim me kusht.
Gjykata ka nxjerrë urdhër për konfiskim të përhershëm të sendeve si: substanca narkotike e llojit kokainë dhe substanca narkotike e llojit kanabis dhe urdhërohet Policia e Kosovës që ta shkatërrojë substancën e konfiskuar.
Gjykata ka urdhëruar po ashtu shkatërrimin e pistoletës me gaz e ridizajnuar në armë zjarri me karikator me 8 fishekë dhe pistoleta e gazit e tipit “Zoraki” e ridizajnuar në armë zjarri me një karikator me tre fishekë si dhe 12 fishekë pasi që të vërtetohet se këto armë nuk janë përdorur në ndonjë krim tjetër.
Po ashtu, është urdhëruar konfiskimi i përhershëm i sendeve si në vijim: monedhat në vlerën 1,700 euro të sekuestruara sipas urdhëresës për masën e përkohshme të datës 29 janar 2019.
Ndër të tjera, është urdhëruar Agjencia për Administrimin e Pasurisë se Sekuestruar dhe të Konfiskuar, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, të marrë nën administrim monedhat e konfiskuara.
Në aktgjykim thuhet se i pandehuri obligohet që të paguajë shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 30 euro dhe në emër të Fondit për mbrojtjen e viktimave të paguajë shumën prej pesëdhjetë 50 euro të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.